I dyshuari R.D, i arrestuar për dy grabitjet e bankave në Tiranë, ka pretenduar se pjesën më të madhe të shumës prej afro 120 mijë eurosh të përvetësuar në dy ngjarjet kriminale e ka shpenzuar duke luajtur në kazino.
Sipas hetimeve, ky pretendim është bërë gjatë komunikimit me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes, por jo në një deklarim zyrtar të mbajtur me procesverbal, pasi avokati i tij nuk ka lejuar një veprim të tillë.
Nga kontrollet e ushtruara në banesën e R.D janë sekuestruar vetëm 2 200 euro. Ndërkohë, 6 mijë euro të tjera janë gjetur në Vlorë, ku i arrestuari dyshohet se ua kishte dhënë dy miqve të tij, nga 3 mijë euro secilit. Ata kanë deklaruar para policisë se paratë ishin shlyerje e një borxhi që R.D kishte ndaj tyre.
Për të verifikuar dëshminë e tij lidhur me shpenzimin e parave në kazino, policia dhe prokuroria u kanë kërkuar katër subjekteve në Tiranë informacion nëse R.D ka qenë klient i regjistruar, si dhe dokumentacionin dhe pamjet filmike përkatëse.
Në hetime është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila ka deklaruar se shuma prej 120 mijë eurosh ishte siguruar nga shitja e një apartamenti pranë stadiumit “Air Albania”.
Ajo ka mohuar të ketë pasur dijeni për përfshirjen e bashkëshortit në grabitje dhe, pas dëshmisë, është lënë e lirë.
R.D dyshohet se kreu dy grabitjet më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, duke përdorur një skemë të ngjashme. Në të dyja rastet, ai ka hyrë i maskuar në ambientet e bankave, ka marrë paratë nën kërcënimin e armës dhe është larguar me monopatinë elektrike. Më pas, dyshohet se e ka futur atë në një automjet të marrë me qira për të vijuar largimin.
Identifikimi i tij u bë pas analizimit të përgjimeve telefonike, pamjeve filmike dhe automjetit të përdorur. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ka pasur bashkëpunëtorë, pasi dyshohet se një person tjetër e ka ndihmuar të largohej pas grabitjes së parë.
R.D pritet të dalë përpara Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai dyshohet se ka kryer edhe 26 grabitje të tjera me armë në Greqi. /Euronews.al/