
Pesë komisione parlamentare do të zhvillojnë mbledhje gjatë ditës së sotme, të martën, më 10 nëntor, ku në fokus do të jenë shqyrtimi i projektligjeve, çështjet institucionale, si dhe takimet me përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Mbledhjen e parë, në orën 10:00, do ta mbajë Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e këtij komisioni do të shqyrtojnë nominimet e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve kushtetuese dhe ligjore.
Po në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion. Në rend dite janë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, raportimi i anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës lidhur me gjendjen në këtë institucion, si dhe shqyrtimi i vendimit të presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në të njëjtën kohë do të mbahet edhe mbledhja e Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur. Gjatë saj, deputetët do të takohen me përfaqësues të organizatave të licencuara që ofrojnë mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Diskutimet do të përqendrohen në aktivitetet e këtyre organizatave dhe procesin e përfitimit të statusit të të mbijetuarve. Po ashtu, komisioni pritet të shqyrtojë formimin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.
Ndërkaq, në orën 11:00 është paraparë të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në këtë takim do të shqyrtohet shpallja e konkursit për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Ndërsa në orën 13:00 do të mblidhet Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport. Në këtë mbledhje do të diskutohet formimi i grupeve punuese për Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Burimi: Insajderi