Aleanca ka propozuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, përmes të cilit synon t’u mundësohet pensioni kontributpagues proporcional edhe qytetarëve që kanë paguar kontribute para 1 janarit 1999, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të përfituar nga skemat ekzistuese.
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në një konferencë për media ka prezantuar propozimin për shtimin e nenit të ri 8/B, i cili parasheh që pensioni të llogaritet në përpjesëtim me vitet, muajt dhe ditët për të cilat qytetarët kanë paguar kontribute.
Haxhiu tha se propozimi synon të adresojë rastet kur qytetarëve u mungojnë vetëm disa muaj apo ditë për të plotësuar periudhën e kërkuar, duke theksuar se skemat ekzistuese dhe të drejtat e personave që tashmë përfitojnë nga to do të ruhen.
“Sot po prezantoj një propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Ky propozim ka një qëllim të qartë. Të përfitojnë pension kontributpagues edhe qytetarët që kanë paguar kontribute, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të hyrë në skemat ekzistuese. Bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para 1 janarit të vitit 1999. Për njerëz që kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pension kontributpagues për shkak se nuk e arrijnë periudhën e kërkuar. Dikujt i mungon një vit. Dikujt disa muaj. Dikujt mund t’i mungojnë vetëm disa ditë. Pyetja që sot e shtrojmë është e thjeshtë. A duhet që mungesa e disa muajve apo ditëve t’ia mohojë qytetarit mundësinë për të përfituar nga vitet për të cilat ka paguar kontribute? Unë konsideroj se duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë. Nëse një person nuk e plotëson periudhën për pension sipas kushteve aktuale, ai duhet të ketë mundësi të marrë një pension në përpjesëtim me kontributet që i ka paguar”, tha Haxhiu.
Ajo sqaroi se propozimi nuk parasheh ndryshimin e kushteve për pensionin kontributpagues të moshës dhe pensionin parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme.
“Pikërisht këtë synon propozimi që po prezantoj sot. Dua të sqaroj që në fillim një çështje shumë të rëndësishme për pensionistët dhe familjet e tyre. Me këtë propozim ruhen skemat ekzistuese dhe të drejtat e atyre që përfitojnë sipas tyre. Së pari, ruhet pensioni kontributpagues i moshës, i rregulluar me nenin 8 të ligjit. Personat që i plotësojnë kushtet e kësaj skeme vazhdojnë të përfitojnë sipas rregullave ekzistuese”, potencoi ajo.
“Së dyti, ruhet pensioni parcial kontributpagues, i rregulluar me nenin 8/A, për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme. Ruhen kushtet e kësaj skeme dhe mënyra aktuale e llogaritjes së pensionit. Dispozitat që njohin pasojat e largimit të dhunshëm nga puna mbeten në fuqi. Periudha që u njihet këtyre qytetarëve për plotësimin e kushtit të përfitimit vazhdon të trajtohet sipas ligjit ekzistues”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se pensioni i ri proporcional do të shqyrtohej vetëm në rastet kur qytetarët nuk i plotësojnë kushtet për të përfituar nga dy skemat ekzistuese./EO
Burimi: Dukagjini
