
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky propozim ka vetëm një qëllim, që të përfitojnë pension kontributpaguesit dhe qytetarët që kanë punuar, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të hyrë në skemat pensionale.
Ajo ka thënë se bëhet fjalë për qytetarët që kanë punuar dhe kontribuuar para janarit të vitit 1999, derisa të njëjtit kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pensionin kontributdhënës, për shkak se nuk arrijnë kriterin e përcaktuar me ligj.
“Dikujt i mungojnë disa vite, dikujt disa muaj, por ka edhe që disave u mungojnë edhe disa ditë. Ka njerëz që kanë përvojë plot 44 vite.”, ka thënë ajo.
Për këto kategori, ajo ka thënë se shteti dhe shoqëria duhet të gjejë një zgjidhje, prandaj, sipas saj ka dalë me këtë propozim.
“Ai duhet të marrë një pension në përpjestim me kontributin që ka paguar. Me këtë propozim, ruhen skemat ekzistuese dhe të drejtat e atyre që përfitojnë sipas tyre. Së pari, ruhet pensioni kontributpagues i moshës. Ruhet pensioni parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme. Propozojmë shtimin e nenit të ri, ku përmes tij, është mundësia për pension kontributpagues proporcional që kanë paguar kontribute, por nuk kualifikohen sipas dy dispozitave të mëparshme.”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pensioni llogaritet sipas muajve e viteve që qytetarët kanë kontribuuar.
“Po e shpjegoj me një shembull. Nëse pensioni i plotë kontributpagues i kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15. Rezultati është 20 euro pension mujor për çdo vit kontributesh. Një qytetar me 14 vite kontribute do të përfitonte 280 euro në muaj. Një qytetar me 14 vite e gjashtë muaj kontribute do të përfitonte 290 euro në muaj. Një qytetar me 12 vite muaj kontribute do të përfitonte 200 euro në muaj”, ka thënë ajo.
Ajo bëri të ditur se shuma prej 300 eurosh është vetëm shembull ilustrues dhe se llogaritja konkrete do të varet nga pensioni në fuqi dhe periudha e kontributeve të dëshmuara.
“Në këtë llogaritje përfshihen edhe muajt dhe ditët. Sepse, nëse po synojmë t’u japim zgjidhje edhe qytetarëve të cilëve u mungojnë vetëm pak ditë për ta plotësuar periudhën e kërkuar, duhet që çdo ditë e kontributeve të tyre të merret parasysh”, ka shtuar ajo.
Gjithashtu, ajo ka treguar edhe për propozime të tjera që janë pjesë e kësaj nisme ligjore, derisa ka shtuar se ky dokument u jep mundësi edhe personave që janë refuzuar më herët e të cilët kanë pasur vetëm pak ditë pa e arritur kriterin e kualifikuar.
Ajo ka ftuar grupet parlamentare që ta përkrahin këtë nismë. /Klankosova.tv