Mustafa i PDK-së e akuzon VV-në se po e bllokon raportimin e Autoritetit të Konkurrencës

Mustafa i PDK-së e akuzon VV-në se po e bllokon raportimin e Autoritetit të Konkurrencës

Written by

in

Mustafa i PDK-së e akuzon VV-në se po e bllokon raportimin e Autoritetit të Konkurrencës

Kryesuesi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Tregti, Ndërmarrësi dhe Inovacion, Arben Mustafa, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke i akuzuar se po e bllokojnë raportimin e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës në Komisionin parlamentar.

Pas dështimit të mbajtjes së mbledhjes, për shkak të debateve rreth rendit të ditës, Mustafa ka thënë se pengimi i raportimit po pamundëson trajtimin e parregullsive që, sipas tij, janë duke ndodhur në këtë institucion.

“Kemi raportuar edhe javët e kaluara për problemet në këtë institucion. Ekziston një paligjshmëri, ekziston një anarki aq e madhe në këtë institucion, që është e pabesueshme që të ndodhë në Kosovën e vitit 2026”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.

Ai ka ngrotur shqetësime edhe për funksionimin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, duke pretenduar se tre anëtarët e zgjedhur të tij nuk kanë mbajtur mbledhje që nga maji i vitit 2025.

“Për shkak se kryetarja e këtij komisioni, zonja Binaku-Isufi, nuk i thërret anëtarët e tjerë në mbledhje të komisionit. Dhe përderisa komisioni i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës është jofunksional, gjatë kësaj periudhe kryetarja e këtij komisioni ka përvetësuar kompetencat e komisionit që është organ kolegjial. Vendimet që do të duhej t’i merrte ky komision po i merr individualisht kryetarja e këtij komisioni, duke lejuar tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo gjatë kohës kur e ka bllokuar funksionimin e komisionit. Për më tepër, janë futur mbi 60 kërkesa të përqendrimit të tregut që po aprovohen në heshtje nga ky komision për shkak të mosfunksionimit të këtij trupi kryesor vendimmarrës të Autoritetit të Konkurrencës. Dhe këto pasoja reflektojnë çdo ditë në ekonominë e vendit dhe te qytetarët përmes çmimeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Gjithashtu, aka thënë se kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës është ftuar tri herë për raportim, por ka refuzuar të paraqitet para deputetëve.

Mustafa ka folur edhe për drejtorin e Autoritetit të Konkurrencës për të cilin pretendon se ka dy aktakuza dhe vazhdon të ushtrojë detyrën.

Mustafa i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë pretendimet për parregullsi në këtë institucion, ndërsa ka paralajmëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, Binaku-Isufi. /EO