
Dhuna në familje vazhdon të jetë një shqetësim serioz në Kosovë. Vetëm në raportin e fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës janë përfshirë 10 raste të raportuara të dhunës në familje, përfshirë sulme fizike ndaj grave, dhunë psikologjike, kërcënime nga ish-bashkëshortët dhe sulme të fëmijëve ndaj prindërve.
Sipas raportit policor të datës 10 nëntor 2026, rastet janë evidentuar në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Fushë Kosovën, Ferizajn, Gjakovën, Rahovecin, Vushtrrinë dhe Zubin Potokun.
Në Prishtinë, një grua përfundoi duke kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se u sulmua fizikisht nga i dashuri i saj. Ngjarja ndodhi më 9 nëntor, rreth orës 03:59, pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Po në Prishtinë, një tjetër grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj, i cili jeton jashtë Kosovës, e kishte kërcënuar atë dhe familjarët e saj përmes rrjeteve sociale. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim nga Policia.
Në Fushë Kosovë, një baba ka raportuar se kishte përjetuar dhunë psikologjike nga djali i tij. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është regjistruar në Ferizaj, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga burri me të cilin bashkëjetonte. I dyshuari nuk është lokalizuar nga Policia dhe gjendet në arrati.
Katër raste vetëm në rajonin e Gjakovës
Situatë shqetësuese është regjistruar edhe në rajonin e Gjakovës, ku janë raportuar katër raste të dhunës në familje.
Në rastin e parë, një grua ka denoncuar djalin e saj që jeton jashtë vendit, pasi dyshohet se i kishte dërguar mesazhe kërcënuese. Ajo ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është futur në kërkim policor.
Në një rast tjetër, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, një grua tjetër ka raportuar se i dashuri i saj ushtronte vazhdimisht dhunë psikologjike ndaj saj për shkak të xhelozisë. Viktima është kthyer te familja e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.
Në Rahovec, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Palët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Dhuna ndaj bashkëshortes në Vushtrri, Policia sekuestron tri armë
Një tjetër rast është raportuar në Vushtrri, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Gjatë ndërhyrjes policore, nga i dyshuari janë sekuestruar dy pistoleta, një pushkë ajrore dhe shtatë fishekë. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkaq, në Zubin Potok, një grua ka raportuar se ishte fyer dhe kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Urdhri mbrojtës nuk respektohet, arrestohet një person në Leposaviq
Përveç rasteve të dhunës në familje, Policia ka raportuar edhe arrestimin e një burri në Leposaviq, i cili dyshohet se nuk kishte respektuar urdhrin mbrojtës të lëshuar për shkak të sjelljeve të mëhershme ndaj babait të tij.
I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është cilësuar si “Mospërfillje e gjykatës”.
Rastet e raportuara tregojnë se dhuna brenda familjes nuk kufizohet vetëm në sulmet fizike ndaj grave, por përfshin edhe kërcënime, dhunë psikologjike dhe dhunë ndaj prindërve e familjarëve të tjerë.
Të gjitha rastet janë në trajtim nga organet kompetente, ndërsa personat e dyshuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali