Ajri i ndotur mbetet alarm për Kosovën, Avokati i Popullit evidenton dështimet

Ajri i ndotur mbetet alarm për Kosovën, Avokati i Popullit evidenton dështimet

Written by

in

Sipas raportit, të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit. Ndotja më e theksuar është evidentuar gjatë sezonit dimëror.

“Ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë një ndër sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë”, theksohet në raport.

Raporti vë në pah edhe pasojat që ekspozimi ndaj ajrit të ndotur mund të ketë në shëndetin e qytetarëve. Sipas vlerësimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndotja e ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Përveç gjendjes së cilësisë së ajrit, Avokati i Popullit ka evidentuar edhe mangësi në zbatimin e legjislacionit dhe në funksionimin e mekanizmave institucionalë.

Në raport theksohet se institucionet përballen me mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, si dhe me nevojën për monitorim më të avancuar dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e ndotjes mjedisore.

Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit thekson se autoritetet publike kanë detyrim të ndërmarrin masa parandaluese dhe efektive, veçanërisht kur janë në dijeni për rreziqet që ndotja paraqet për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“ Mbrojtja e të drejtave të njeriut nga pasojat e ndotjes mjedisore kërkon përmbushjen e detyrimeve pozitive të shtetit për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive”, thuhet në raport.

Në përfundim të hetimeve të iniciuara me vetiniciativë, Avokati i Popullit u ka drejtuar institucioneve përgjegjëse rekomandime për forcimin e mekanizmave institucionalë, zbatimin e legjislacionit, avancimin e politikave publike dhe ndërmarrjen e masave të koordinuara për uljen e ndotjes.

Raporti synon të vërë në pah se cilësia e ajrit nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe çështje e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për jetë, shëndet dhe një mjedis të pastër e të shëndetshëm.

Burimi: RTKLive