Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për rritjen e kostos së jetesës, duke thënë se suksesi ekonomik nuk duhet të matet me shifrat e buxhetit, por me cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45 për qind në pesë vjetët e fundit, ndërsa çmimet e shumë produkteve të konsumit familjar janë gati dyfishuar.
Ai ka vlerësuar se rritja e çmimeve po ua vështirëson jetën qytetarëve dhe se propaganda për sukses ekonomik nuk e lehtëson barrën e familjeve.
“Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar. Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve! Qeveria mund të prezantojë shifra miliardëshe, por realiteti matet me koston e konsumit familjar, matet me koston që çdo vikend familja paguan në arkën e marketeve”, ka shkruar ai.
Hoti ka thënë se debati në Kuvend për buxhetin 2027-2029 duhet të përqendrohet te rritja e kostos së jetesës, përgjegjësia për këtë gjendje dhe masat që mund të ndërmerren për ta lehtësuar barrën financiare të qytetarëve.
Burimi: Dukagjini
