
Policia e Kosovës ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me një formë mashtrimi që po përdoret gjatë shitjes së produkteve në platformat online, ku persona të dyshuar paraqiten si blerës dhe tentojnë të sigurojnë të dhënat e kartelave bankare të shitësve, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Policisë, kohëve të fundit janë evidentuar raste kur persona të panjohur kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, duke u prezantuar si blerës të interesuar.
Mashtrimi nis kur këta persona u dërgojnë shitësve linqe të dyshimta, duke pretenduar se përmes tyre duhet të realizohet pagesa për produktin.
Në të vërtetë, sipas Policisë, këto vegëza përdoren për të mbledhur të dhëna të ndjeshme bankare, përfshirë numrin e kartelës, datën e skadimit, kodin CVV/CVC dhe kodet e konfirmimit të transaksioneve.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos japin asnjëherë të dhënat e kartelave bankare te persona të panjohur.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet që çdo kërkesë për pagesë ta verifikojnë vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës ose platformës përkatëse.
Në rast se dikush ka vendosur të dhënat bankare në një faqe të dyshimtë, Policia këshillon që të kontaktohet menjëherë banka për bllokimin e kartelës dhe rasti të raportohet te organet e rendit.
“Për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare!”, është mesazhi kryesor i Policisë së Kosovës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë komunikimit me blerës të panjohur, në mënyrë që të mos bien viktimë e skemave mashtruese në internet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali