Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport ka formuar dy grupe punuese për shqyrtimin e Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Për Grupin Punues për Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë, kryesuese është caktuar deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ndërsa anëtarë janë deputetja e VV-së, Adelina Grainca, dhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku.
Ndërkaq, Grupin Punues për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë do ta kryesojë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Anëtarë të këtij grupi janë deputetët Arsim Ademi dhe Filiz Mustafa nga VV-ja, Albana Bytyqi nga Aleanca, Ukë Rugova nga LDK-ja dhe Ergül Mazreku nga KDTP-ja.
Kryesuesi i komisionit për Mjedis, Arsim Ademi, tha se të dy projektligjet janë shqyrtuar në parim në komision dhe kanë kaluar leximin e parë në Kuvend, ndërsa formimi i grupeve punuese synon të nisë përgatitjet për shqyrtimin e tyre në detaje.
“Qysh e dini, të dy këto projektligje kanë kaluar, janë shqyrtuar në parim fillimisht në komisionin tonë, kanë kaluar në Kuvend në lexim të parë. Janë rikthyer, tash është mirë, meqenëse kemi kohë deri më të 20-ën për me fillu trajtimin e tyre, për shkak se është koha për eventualisht amendamente që munden me ardhë nga jashtë. Po përderisa vijmë në atë pikë, është mirë qysh në start me i bërë grupet të punës, kështu që kemi mendu që në këtë mbledhje me i përcaktu anëtarët që duhen me qenë pjesë e këtyre dy grupeve të punës, domethënë për të dy projektligjet. Unë ju ftoj me bërë propozime kushdo që doni me qenë pjesë e grupit të punës”, tha Ademi./EO
Burimi: Dukagjini
