
Dyshimet për vlefshmërinë e certifikatave ISO dhe autenticitetin e dokumenteve të paraqitura nga kompania e rekomanduar për kontratë janë ngritur në tenderin 490 mijë eurosh për instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në disa fshatra të Suharekës. Kompania certifikuese RIGCERT ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se certifikimi i kompanisë “LCE SH.P.K.” ishte suspenduar më 1 tetor 2026 dhe ishte riaktivizuar më 23 tetor, pas përfundimit të auditimit vjetor të mbikëqyrjes. Megjithatë, kompania ishte rekomanduar për kontratë më 16 tetor 2026, në periudhën kur certifikimi ishte ende i suspenduar.
Gazeta Insajderi
Komuna e Suharekës ka hapur tender në vlerë të parashikuar prej 490 mijë eurosh për “Instalimin dhe sanimin e ndriçimit publik në fshatrat Savrov, Doberdelan, Bukosh, Sopijë, Vraniq, Budakov, Mushtisht, Grejqec, Leshan, Tërnje dhe Komunë”.
Për këtë aktivitet të prokurimit, Komuna ka rekomanduar për kontratë me 16.10.2026, kompaninë “LCE” SH.P.K.
Mirëpo, ndaj kësaj procedure të prokurimit janë parashtruar disa kërkesa për rishqyrtim, të cilat Komuna e Suharekës i ka refuzuar.
Njëra nga kërkesat është dorëzuar nga një operator ekonomik që ka kundërshtuar disa kritere të dosjes së tenderit, duke i konsideruar ato diskriminuese, joproporcionale dhe kufizuese për konkurrencën.
Në mesin e pretendimeve të tij ishin hapësira e kërkuar për depozitimin dhe parkimin e pajisjeve, përvoja profesionale e inxhinieres së elektros, kualifikimet e dy teknikëve të elektroteknikës, dokumentacioni për dhjetë punëtorët, certifikatat ISO të kompanisë LCE SH.P.K., si dhe dallimet në çmimet për njësi të paraqitura në ofertë.
Komuna i ka refuzuar këto pretendime, duke arsyetuar se dokumentacioni i kompanisë së rekomanduar për kontratë i përmbush kërkesat e dosjes së tenderit. Sa u përket certifikatave ISO, Komuna ka thënë se verifikimi përmes kodeve QR në regjistrin e RIGCERT-it ka treguar se ato kanë statusin “Valid”.
Dyshime për dokumente të ndryshuara, RIGCERT konfirmon suspendimin e certifikatave të fituesit
Por, përveç kësaj kërkese për rishqyrtim, një tjetër operator ekonomik e ka dërguar çështjen në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kundërshtuar vendimin e Komunës për rekomandimin e LCE SH.P.K. për kontratë.
Në ankesën e dorëzuar më 4 nëntor 2026, operatori pretendon se kompania e rekomanduar nuk i ka përmbushur disa nga kriteret e dosjes së tenderit dhe se Komuna nuk i ka shqyrtuar siç duhet dëshmitë e paraqitura.
Njëra nga çështjet kryesore të ngritura në ankesë lidhet me vlefshmërinë e certifikatave ISO të LCE SH.P.K.
Sipas ankuesit, nga verifikimet në sistemin elektronik të trupit certifikues RIGCERT, më 21 tetor 2026, certifikatat figuronin me statusin “Suspended”. Po ashtu, ankuesi pretendon se më 22 tetor kishte marrë konfirmim nga RIGCERT se certifikatat ishin të suspenduara që nga gushti i vitit 2026.
Megjithatë, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, vetë RIGCERT ka dhënë një kronologji tjetër lidhur me këtë çështje.
Sipas këtij trupi certifikues, certifikimi i kompanisë LCE SH.P.K. ishte lëshuar fillimisht më 26 gusht 2024, ndërsa vlefshmëria e tij varej nga realizimi i auditimeve vjetore të mbikëqyrjes.
RIGCERT konfirmon se kompania nuk e kishte kryer me kohë auditimin e planifikuar vjetor, për çka certifikimi i saj ishte suspenduar më 1 tetor 2026.
“Një datë më të vonshme, më 22 tetor, aktivitetet e mbikëqyrjes janë planifikuar dhe përfunduar. Si rezultat, vlefshmëria e certifikimit është rikthyer më 23 tetor”, thuhet në përgjigjen e RIGCERT-it për Insajderin.
Ndërsa tenderi u dha me 10 dhjetor.
Ndërkaq, një tjetër pretendim i ngritur në ankesë është edhe më serioz. Ankuesi pretendon se kompania fituese ka paraqitur një certifikatë të ndryshuar të prodhuesit turk IRPA AYDINLATMA GIDA.
Sipas ankesës, në dokumentin e dorëzuar në tender është shtuar emri “ARTAY LIGHTING”, i cili, sipas ankuesit, nuk është prodhues, por zyrë përmes së cilës është siguruar autorizimi.
Ankuesi thotë se për të verifikuar autenticitetin e dokumentit ka kontaktuar drejtpërdrejt kompaninë prodhuese turke. Sipas tij, kjo e fundit ka konfirmuar se certifikata e paraqitur në tender është ndryshuar dhe nuk përputhet me dokumentin origjinal.
Si dëshmi, ankuesi në OSHP ka dorëzuar certifikatën origjinale të prodhuesit, dokumentin e paraqitur nga kompania fituese, komunikimin me prodhuesin dhe krahasimet mes dy dokumenteve.
Në ankesë thuhet se Komuna e Suharekës nuk i ka trajtuar këto pretendime dhe prova në mënyrë të mirëfilltë gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishqyrtim.
Ankuesi pretendon se autoriteti kontraktues ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke mos kërkuar sqarime dhe duke mos dhënë vlerësim për dëshmitë e paraqitura lidhur me autenticitetin e certifikatës.
“Këto prova kërkojnë verifikim zyrtar dhe të paanshëm nga Autoriteti Kontraktues, përpara se të vazhdohet me lidhjen e kontratës. Ndersa ne pergjigjen e AK-se ne kerkesen per rishqyrtim nuk kemi pranuar asnje sqarim apo vleresim te ketyre provave qe kemi paraqitur, andaj me te drejte shqetesohemi qe komisioni per vleresim te tendereve ka vepruar ne menyre te njeanshme duke favorizuar nje OE qe nuk eshte i pergjegjshem“, thuhet në ankesë.
Për këtë arsye, kompania ka kërkuar nga OSHP-ja që të shqyrtojë provat, të anulojë vendimin e Komunës dhe ta kthejë lëndën në rivlerësim.
Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga kompania e rekomanduar për kontratë dhe nga Komuna e Suharekës lidhur me pretendimet e ngritura në ankesë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje./insajderi.org/
Burimi: Insajderi