
Një rast i dhunës në familje është denoncuar në Fushë Kosovë, ku një 60-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të dhunës psikologjike që dyshohet se po ushtron ndaj tij djali i vet. Bashkë me të në stacion policor është paraqitur edhe reja e familjes, bashkëshortja e të dyshuarit, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 20:30, në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ndërsa incidenti është regjistruar të ketë ndodhur rreth orës 19:00, në fshatin Nakaradë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është G.I. (34), ndërsa viktima është babai i tij, M.I. (60).
Babai dhe reja kanë deklaruar para zyrtarëve policorë se 34-vjeçari po ushtronte dhunë psikologjike ndaj të atit. Gjatë denoncimit është bërë e ditur gjithashtu se i dyshuari konsumon pije alkoolike.
Pas paraqitjes së rastit, Policia ka ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa i dyshuari, gjatë intervistimit, ka zgjedhur të shfrytëzojë të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente për dhunën në familje, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhuna në familje”.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
/Gazeta Sinjali/
Burimi: Sinjali