
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani po punon për të ripërtërirë kërcënimin e tij bërthamor, duke theksuar se eliminimi i përhershëm i këtij rreziku mund të arrihet vetëm përmes rrëzimit të regjimit të Ajatollahut.
Gjatë një fjalimi të mbajtur të martën në Knesset, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli do të përballet me presion ndërkombëtar për ta pranuar Iranin si fuqi bërthamore dhe për të “toleruar regjimin e tmerrshëm që kërkon shkatërrimin e tij”.
Ai tha gjithashtu se Izraeli mund të vihet nën presion për t’u “tërhequr nga arritjet e tij monumentale dhe nga përparimi i madh i bërë në lidhje me zonat e sigurisë”.
“E vetmja mënyrë për të hequr përgjithmonë këtë kërcënim ekzistencial është përmes rrëzimit të regjimit të Ajatollahut”, deklaroi Netanyahu.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë vlerësuar se kapacitetet bërthamore të Iranit janë dëmtuar rëndë nga sulmet gjatë luftës së fundit. Megjithatë, sipas vlerësimeve të tyre, Teherani ruan kapacitetin për të siguruar armë bërthamore brenda afërsisht një deri në dy vjet.
Gjatë fjalimit, Netanyahu u bëri thirrje anëtarëve të Knesset-it që të lënë mënjanë prioritetet dhe konsideratat e tjera dhe të formojnë një qeveri të unitetit kombëtar. Ai këmbënguli se vetëm një qeveri e tillë është e aftë t’u bëjë ballë sfidave të këtij lloji.
Fjalimi i kryeministrit izraelit u ndërpre nga ish-kryeministri dhe deputeti i partisë “B’Yachad”, Naftali Bennett, i cili e sfidoi me pyetjet: “Po këshilltarët tuaj nga Katari? Po hetimi për 7 tetorin?”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali