Plani i Komunës së Prishtinës për zonën e njohur si “te Fontana” në lagjen Ulpiana ka nxitur diskutime të shumta ndërmjet ekspertëve të urbanizmit dhe drejtuesve komunalë.
Ndërsa Komuna e Prishtinës e arsyeton propozimin me nevojat e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, arkitektja Kosovare Sadiku Ahmeti ka publikuar një analizë të detajuar profesionale, duke paralajmëruar për mundësinë e ndërtimit të një objekti deri në 10 kate dhe gërmimeve masive nëntokësore, raporton Telegrafi.
Arkitektja Sadiku Ahmeti: Projektet po mbështeten në “epërsi ligjore” që anashkalojnë planifikimin e rregullt
Përmes një reagimi publik, arkitektja Kosovare Sadiku Ahmeti ka analizuar dokumentin zyrtar të projektit “Ulpiana 2030 Legacy”, duke ngritur shqetësime mbi bazën ligjore, parametrat e ndërtimit dhe fatin e gjelbërimit në këtë pjesë të Prishtinës.
Sadiku Ahmeti ka vënë në spikatur Nenin 16 të Ligjit për Lojërat Mesdhetare, i miratuar në prill 2026, i cili përcakton se në raste mospërputhjeje, ky ligj mbizotëron mbi çdo ligj tjetër deri më 31 dhjetor 2030.
“Çdo ligji tjetër!! Edhe ndaj Ligjit për Planifikim Hapësinor, që kërkon që parametrat e ndërtimit të caktohen me plan dhe pas dëgjimit të qytetarëve. Edhe ndaj ligjit për pronën komunale, që nuk e lejon shitjen e saj?! A është ky ligj për Lojërat Mesdhetare apo kamuflazh për projekte që me procedurë të rregullt nuk do të kalonin?”, ka shkruar arkitektja.
Ajo ka pyetur po ashtu se pse nevojitet një objekt shtesë akomodimi te Fontana, kur Fshati i Atletëve (Athletes’ Village) prej 70 milionë eurosh e 4.500 shtretërve po planifikohet në kampusin e Qendrës së Studentëve.
“Pse duhet edhe një ndërtesë tjetër për akomodim, pikërisht te Fontana? Dhe pse ky, pas Lojërave, sipas dokumentit të prezantuar nga Komuna, kthehet në ‘njësi banimi individuale’ mbi parcela publike?”, thuhet në postimin e saj.
Lidhur me pretendimet se Fontana nuk do të preket, Sadiku Ahmeti ka paraqitur llogaritjet profesionale mbi sipërfaqen e gërmimit dhe lartësinë e propozuar.
“Në dokumentin e prezantuar nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Planifikimit Strategjik, lejohet ndërtim nëntokësor deri në 90% të parcelës, pra deri në 11.700 m² për çdo nivel nëntokësor. Kjo është më shumë se dyfishi i rrethit të Fontanës (rreth 5.000 m²). Fontana mund të rindërtohet sipër pllakës. Por parku që e njohim, me tokën, pemët dhe hijen, nuk i mbijeton gërmimit. Mbi pllakë betoni, pemët e vjetra mund të zëvendësohen vetëm me saksi të reja”, ka shkruar Sadiku Ahmeti.
Sipas llogaritjeve të saj për parcelën 13.000 m² te Fontana, me koeficient ndërtimi 3 dhe gjurmë 30%, lejohen gjithsej 39.000 m² ndërtim mbi një bazë prej 3.900 m², që përkthehet në një objekt prej rreth 10 katesh (30-33 metra lartësi).
“Zona që studiuam në Ulpianë në kuadër të Architech Festival është 70% gjelbërim. Ky nuk është gabim i planit, përkundrazi është vlerë e shtuar e Ulpianës… Lojërat zgjasin dy javë, kurse Fontana e Ulpianës është pika referuese e Prishtinës prej mbi 50 vjetësh”, ka përmbledhur ajo.
Drejtori Bekim Ramku: Kapacitetet e konvikteve nuk mjaftojnë, Fontana mbrohet
Në anën tjetër, gjatë prezantimit të propozimit, drejtori i Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, Bekim Ramku, ka sqaruar se kapacitetet aktuale të Qendrës së Studentëve nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojat e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Kapaciteti i konviktit nuk mund t’i plotësojë nevojat e Lojërave. Ideja është që objekti të bëhet duke përcjellë parametrat arkitektonikë të objekteve ekzistuese dhe është menduar që nën Fontanë të ketë parkingje nëntokësore”, ka deklaruar Ramku.
Ramku ka përsëritur se projekti nuk parashikon rrënimin apo dëmtimin e hapësirës kryesore të Fontanës: “Ideja është që objekti të ndërtohet përballë konvikteve, aty ku ka hapësirë. Fontana nuk preket dhe duhet të ketë sa më shumë parkingje”.
Kryetari Përparim Rama: Kjo është vetëm propozim – nëse banorët nuk e duan, nuk ecim përpara
Pas reagimeve publike, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një sqarim drejtuar drejtpërdrejt banorëve të lagjes Ulpiana, duke garantuar se asnjë vendim nuk do të merret pa pëlqimin e komunitetit.
“Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken! Fontana mbetet në zemër të lagjes, aty ku ka qenë gjithmonë. Simbol e krenari e Ulpianës”, ka deklaruar Rama.
Lidhur me parkingun nëntokësor dhe objektin e propozuar, kryetari i kryeqytetit ka shkruar: “Parkimi bëhet nën tokë, nën zonën e Fontanës. Kjo do të krijonte më shumë vende parkimi, ndërsa hapësirat ku sot parkohen kerret do t’ua kthenim banorëve me më shumë gjelbërim e fusha sportive. Objekti i banimit propozohet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’… Për këtë arsye është menduar një objekt akomodimi pa destinim komercial, në harmoni me arkitekturën e lagjes. Pas Lojërave, hapësira mbetet për banorët!”.
Rama ka theksuar se ideja mbetet vetëm në nivel propozimi dhe se fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët.
“Krejt kjo është një propozim. Nëse banorët e Ulpianës nuk e duan, nuk ecim përpara. Fillimisht e diskutojmë me juve! Pastaj, nëse ka mbështetje, propozimi shkon për votim në Kuvendin Komunal, te përfaqësuesit që i keni zgjedhë ju! Ky plan është në shërbim të qytetarëve dhe për të vendosim bashkë me ju. Nuk ka arsye për shqetësim!”, përfundon postimi i tij. /Telegrafi/