Vrasja në Skenderaj, babë e bir dënohen me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e kushëririt të tyre

Vrasja në Skenderaj, babë e bir dënohen me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e kushëririt të tyre

Written by

in

Janë shpallur fajtorë Hisni dhe Bujar Ibishi, të akuzuar për vrasjen e kushëririt të tyre në një kafiteri në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, më 12.02.2025.

Gjykata e Mitrovicës i dënoi me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit për vrasjen e Ismet Ibishit.

Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga – vrasje e rëndë, në – vrasje në bashkëkryerje.

Ndërkohë, të dy akuzohen edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

“Gjykata e ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga pika 1 e aktakuzës. Marrë parasysh se nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, sidomos video-incizimi i administruar, nuk është provuar se të pandehurit kanë rrezikuar edhe persona të tjerë”- tha gjyqtari Izet Gërguri.

I pakënaqur me këtë vendim u shpreh avokati i palës së dëmtuar, Fisnik Sogojeva, i cili tha për KALLXO.com se do të paraqesin ankesë.

Madje, në seancën përfundimtare, Sogojeva kishte kërkuar nga Gjykata që të dy të akuzuarit t’i dënojë me burgim të përjetshëm, duke propozuar që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese.

Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë?

Sipas Prokurorisë, më 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50, lokalin “Boss Bar” në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe me dashje, e kanë privuar nga jeta Ismet Ibishin.

Sipas aktakuzës, derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit, sapo kishin hyrë brenda, kishin nxjerrë armët dhe kishin shtënë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Viktima kishte marrë gjithsej 21 plagë nga arma e zjarrit, prej të cilave 12 plagë hyrëse dhe nëntë dalëse, ndërsa tri predha kishin mbetur në trupin e tij.

“Ismeti ishte duke pirë kafe në lokalin si më lart. Të pandehurit, posa hyjnë brenda në lokal, nxjerrin armët nga brezi. Fillimisht, i pandehuri Hisni, me revole në dorë të markës ‘M57’, nga afërsia shtie disa herë në drejtim të të ndjerit, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, edhe i pandehuri Bujar Ibishi, po ashtu shtie në drejtim të të ndjerit me armën e zjarrit- revole të markës ‘Ëalther’”- thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit janë larguar nga lokali ndaras, me veturat e tyre, ndërsa të shtënat ndaj të ndjerit kanë vënë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë që ndodheshin brenda lokalit.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtja pa leje.

Sa i përket veprës së dytë penale, Prokuroria pretendon se Hisni Ibishi, nga një datë e pacaktuar deri më 12 shkurt 2025, në shtëpinë e tij në Klinë të Skenderajt, kishte mbajtur pa leje përkatëse një pushkë automatike “AK-47”, një karikator, 45 fishekë, dy revole të markës “TT” me karikatorë e fishekë si dhe një revole “Ëalther”, me karikatorë. Këto armë janë sekuestruar nga Policia.

Ndërsa Bujar Ibishit i është gjetur arma që dyshohet se është përdorur në ditën kritike.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, nga informacionet mbi të kaluarën kriminale, të dy të pandehurit rezultojnë persona të njohur për organet e ndjekjes në cilësinë e të dyshuarve.

Sipas dosjes, Hisni Ibishi rezulton i përfshirë në gjashtë raste të tjera penale, pa përfshirë vrasjen për të cilën akuzohet në këtë rast.

Ndërsa Bujar Ibishi, përveç rastit të vrasjes, rezulton i njohur edhe për dy vepra të tjera penale.

Deklarimet e të akuzuave

Hisni Ibishi pretendoi se kur kishte hyrë në lokalin “Boss Bar”, kishte parë tashmë të ndjerin Ismet Ibishi të ulur në tavolinë me një armë në dorë.

Ai tha se i kishte bërtitur: “Lëshoje armën!”, ndërsa pretendoi se viktima e kishte sharë.

“Edhe i ka dhënë zor armës, kur i kam bërtitur unë, i ka krisur alltia e tij pa shtënë unë. Dhe jam i bindur 100%, plumbi e ka kapur në këmbë, në këmbën e majtë. Atëherë ia kam dhënë dy plumba, një ia kam dhënë në krahun e djathtë, edhe një këtu, mbi krahun e djathtë”- deklaroi ai.

I akuzuari tha se kishte shtënë me armë zjarri në momentin kur kishte parë se i ndjeri e kishte kaluar armën nga njëra dorë në tjetrën.

“E kam shtyrë dhe e kam ulur në karrige. Atëherë, në atë moment, e ka ndërruar armën, prej dorës së djathtë e ka kapur me dorën e majtë. Ju betohem në Zot, në atë moment kur e ka kapur me dorë të majtë armën, atëherë e kam humbur kontrollin dhe i kam shtënë plumbat. Dhe thashë: ma vrajti djalin prapa, se unë e dija që e kam djalin prapa”- tha i pandehuri.

Ndërkaq, djali i tij, Bujar Ibishi, është mbrojtur në heshtje.

Deklaratat e dëshmitarëve

Murat Ibishi, babai i të ndjerit Ismet Ibishi, ka deklaruar në Prokurori se djali i tij nuk kishte pasur asnjëherë mosmarrëveshje me Hisniun dhe Bujarin.

Megjithatë, ai pretendon se pesë deri në gjashtë muaj para vrasjes kishte pasur një rast kanosjeje me armë nga i pandehuri Hisni, për të cilin kishte njoftuar Policinë.

Ai ka thënë se edhe para këtij rasti e kishte ditur se Hisniu po e përcillte.

Ndërsa pretendon se i akuzuari kishte pasur probleme me djalin e xhaxhait të Muratit, Visar Ibishin, lidhur me një pronë të paluajtshme në Skenderaj.

“Në atë paluajtshmëri është vendosur gurthemeli për ndërtimin e banesave. I ndjeri Ismet ka qenë gjithmonë pengesë për të pandehurit, dhe atë që nga momenti kur i pandehuri Hisni më është kanosur me revole. Prej atij rasti, Hisniu me familjen time nuk i ka raportet e mira. Bile, unë me të pandehurit nuk kam folur, por Ismeti ka folur gjithmonë. Nuk e di arsyen pse më është vrarë djali, nuk e di arsyen pse Hisniu ka qenë i revoltuar me mua”- ka deklaruar ai.

Ndërsa në deklaratën e dhënë në Polici, Visar Musli ka thënë se ishte duke pirë kafe me tashmë të ndjerin, kur pas rreth gjysmë ore në lokal kishin hyrë dy persona.

“Njëri prej tyre kishte armë në dorë, ishte rreth moshës 50-vjeçare apo më shumë. I njëjti është afruar te tavolina, duke i bërtitur Ismetit me fjalën ‘Deshu!’, me një ton urdhërues të lartë, dhe ia ka drejtuar armën Ismetit”- ka deklaruar Musli.

Ai ka thënë se nga paniku ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe me të arritur te dera e hyrjes së lokalit, kishte dëgjuar të shtëna.

Ndërsa, pasi kishte dalë nga lokali kishte dëgjuar edhe të shtëna të tjera, për të cilat nuk e dinte se sa kishin qenë. Sipas tij, nga shqetësimi kishte shkuar në një lokal tjetër, në anën tjetër të rrugës.

Zeqir Tahiraj, i cili ishte kamerier në lokalin “Boss Bar”, ka thënë se në ditën kritike, rreth orës 13:45, kishte hyrë Hisni Ibishi, i cili mbante armën në dorë dhe e kishte ngritur lart. Sipas tij, Hisniu kishte thirrur dy herë emrin “Isë”.

Tahiraj pretendon se sapo e kishte parë armën ishte futur nën banak, ku kishte dëgjuar disa të shtëna, por nuk kishte parë se kush kishte shtënë.

“Pasi janë ndalur të shtënat, unë jam ngritur, Hisniun nuk e kam parë. Në lokal ishim vetëm unë dhe Safeti. Më vonë ka ardhur edhe ai personi që kishte qenë i ulur në tavolinë më herët me Ismetin. Në atë moment Ismeti ka qenë i vrarë në karrige. Safeti e ka thirrur Policinë, kurse unë e kam thirrur pronarin e lokalit” – ka deklaruar kamarieri.

Në seancën e mbajtur më 19.05.2026 ishte dëgjuar edhe dëshmitari Safet Ismajli.

Ai kishte deklaruar se kishte qenë në lokal rreth 10 deri në 15 minuta para se të hynte i pandehuri Hisni Ibishi.

Dëshmitari kishte dhënë versionin e tij për mënyrën se si kishte ndodhur vrasja.

“E mbaj mend që ka hyrë vetëm Hisniu, tjetrin nuk e mbaj mend. Plumbat e parë që kanë krisur, është bërë tym e mjegull aty. Jemi shtrirë përtokë, disa kanë ikur, disa kanë dalë jashtë, disa kanë hyrë në banjë” – kishte deklaruar ai.

Sipas dëshmitarit, para se Hisni Ibishi të shtinte me armë, ishte afruar te tavolina ku ndodhej viktima dhe i kishte kërkuar të zhvishej.

“Ka hyrë brenda, e kam parë që ka shkuar te tavolina, aty i ka thënë Ismetit: ‘Deshu!’. Pastaj ka krisur alltia edhe më shumë nuk di”- kishte thënë Ismajli, raportom KALLXO.