Arsene Wenger po e shqyrton seriozisht mundësinë për të kandiduar për president të FIFA-s, në një garë që mund ta vendosë përballë Gianni Infantinos, aktualisht në krye të organizatës më të madhe të futbollit botëror.
Sipas BBC-së, ish-trajneri legjendar i Arsenalit, i cili që nga viti 2019 mban pozitën e drejtorit për zhvillimin global të futbollit në FIFA, është nxitur nga disa figura me ndikim në futbollin evropian që të hyjë në garë.
Wenger ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa situata është bërë më interesante për shkak të përçarjeve mes UEFA-s dhe FIFA-s.
Disa zyrtarë evropianë thuhet se do ta mirëprisnin kandidaturën e francezit, madje edhe nëse ai do të qëndronte në detyrë vetëm për një pjesë të mandatit katërvjeçar, për shkak të moshës së tij.
Përplasjet mes UEFA-s dhe FIFA-s
Në qendër të tensioneve mes dy organizatave është projekti kontrovers “FIFA Forward Enterprise”, përmes të cilit Gianni Infantino synonte të përfshinte investitorë privatë në marrëveshje tregtare që lidhen me Kupën e Botës. Projekti u braktis pas kundërshtimeve të forta nga federatat evropiane.
UEFA i ka kërkuar FIFA-s përgjigje urgjente dhe transparente për deri në 42 pyetje lidhur me mënyrën e menaxhimit të organizatës dhe proceset e vendimmarrjes. Në këtë debat është përfshirë edhe Wenger, i cili publikisht është distancuar nga projekti, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në hartimin e tij.
Megjithatë, Infantino vazhdon të konsiderohet favorit për rizgjedhje, falë mbështetjes së gjerë që gëzon në federatat e Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut.
Afati për kandidaturën po afrohet
Wenger ka pak kohë për të vendosur, pasi afati për paraqitjen zyrtare të kandidaturave është 18 nëntori. Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s janë planifikuar të mbahen në mars të vitit 2027.
Nëse ish-trajneri i Arsenalit vendos të kandidojë, gara për kreun e FIFA-s mund të marrë një dimension të ri, sidomos nëse siguron mbështetjen e UEFA-s dhe federatave evropiane.
Për momentin, megjithatë, kandidatura e tij mbetet vetëm në nivelin e shqyrtimit dhe nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar./Telegrafi/