
Mirëpo, rasti i Sahitit nuk është i vetmi.
Një palë tjetër i cili ka dashur të mbes në tërësi anonim, ka pretenduar se avokatët Gjini, i kanë marrë lëndën në trajnim, por nuk i kishin ofruar autorizimin e shkruar.
Në shkurt të këtij viti atij i kishte shkuar urdhëri për përmbarim për shkak të një borxhi të vjetër.
Me qëllim të prapësimit, pra kundërshtimit të borxhit në gjykatë, ai thotë se kishte shkuar dhe kishte biseduar me dy avokatet Blend dhe Gent Gjini.
Për kryerjen e këtij procesi ai thotë se fillimisht i kishin kërkuar 50 euro, pagesë kjo të cilën e kishte bërë cash.
Mirëpo, ai pretendon se të njëjtit nuk i kishin ofruar kupon fiskal apo faturë të rregullt.
N.N: Për herë të parë si e kom marrë letrën në postë, direkt te ata, 8 ditë a sa ka pas afat. Ditën që e kom pranu qat ditë e kom qu.
Gazetarja: Edhe çka të thanë kur shkove ti tek ata?
N.N: Tha s’është problem e bojmë na prapësimin, u kry, sa duhet, ia dhash paret. Muj pas muje tu më thanë qështu, dikur u mërzita, e lash muajin e fundit nuk shkova hiç. Për sy të ballit 50 euro.
Gazetarja: E autorizim nuk te jepen hiç a?
N.N: Sen bre s’më kanë dhanë të kallxova, as s’më kanë shti me nënshkrujt, veç hiç.
Por, të njëjtit nuk e kishin shfrytëzuar afatin ligjor për prapësim, dhe si rezultat kishte filluar ekzekutimi i urdhrit përmbarimor.
N.N: Te këta s’kom lanë muaj, për çdo muaj. Tu më thanë verës thojshin pushim oshtë gjykata, shtator fillojnë, në tetor ma s’shkova hiç.
Gazetarja: Edhe tani fillove me pagu a?
N.N: Jo kom fillu me pagu meniher se mu më thanë ti paguje se ti kthejnë paret, ti kthen përmbaruesi. Më shtinën me pagu.
“Dosja” ka tentuar të marrë përgjigje nga avokatët Gjini lidhur me këtë rast.
Mirëpo, avokati Gent Gjini, përmes një përgjigje me shkrim nuk ka pranuar që të takohet me gazetaren e emisionit Dosja për të diskutuar lidhur me pretendimet e palëve, e as për të zhvilluar intervistë.
Mazreku sqaron se qytetarët duhet të kenë parasysh se për ta autorizuar një avokat për të kryer veprime te caktuara për klientin, duhet patjetër të nënshkruajnë dokumentin e autorizimit, i cili duhet të mbajë vulën e zyrës së avokatisë dhe nënshkrimin e klientit.
“Nuk janë të shpeshta kur qytetarët vijnë në zyrën time si kryetar i odës së avokatëve për regjion të Prizrenit, megjithatë nuk është që është numër i papërfillshëm. Në këto raste unë në vazhdimësi i udhëzoj që ti ndjekin procedurat pranë organeve kompetente të Odës së Avokatëve, përkatësisht tek Prokurori disiplinor. Pastaj është kompetencë e Prokurorit disiplinor të vlerësojë nëse pretendimet e palëve janë të provueshme dhe të vërteta dhe në kuadër të kompetencave të tij të procedoj çështjen në kuadër të komisionit disiplinor i cili konstaton nëse ato pretendime janë të vërteta. Sa i përketë kolegëve në fjalë ka pas raste, por në vazhdimësi sikurse për secilin kolegë tjetër i kemi sugjeruar që ti ndjekin procedurat pranë organeve sepse është kompetencë e tyre që t’i vlerësojnë pretendimet e tyre”.
Dosja ka kërkuar përgjigje edhe nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Mirëpo, nga OAK kanë thënë se nuk mund të japin informacione për shkak se procedurat disiplinore i nënshtrohen konfidencialitet.
“Në përputhje me nenin 23 të Rregullores për Procedurën Disiplinore për Avokatë dhe Praktikantë, procedurat disiplinore i nënshtrohen parimit të konfidencialitetit. Duke marrë parasysh natyrën konfidenciale të këtyre procedurave dhe detyrimin për mbrojtjen e të dhënave të personave të përfshirë, OAK është e obliguar të respektojë kufizimet e përcaktuara me aktet e saj normative gjatë trajtimit dhe komunikimit të informatave që ndërlidhen me procedurat disiplinore individuale. Rrjedhimisht, OAK nuk mund të ofrojë informata mbi përmbajtjen e ankesave, pretendimet e parashtruara apo veprimet procedurale në raste individuale, për aq sa ato i nënshtrohen detyrimit të konfidencialitetit”, thuhet në përgjigjen e OAK-së.
Përgjegjësia eventuale disiplinore apo edhe penale e avokatëve Gjini mbetet të trajtohet nga prokuroria dhe Oda e Avokatëve të Kosovës.
Megjithatë, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që çdo autorizim të lexohet, çdo pagesë të dokumentohet dhe çdo marrëveshje të dëshmohet.
Sepse ajo që nuk shkruhet vështire provohet, e ajo që nuk provohet vështirë kërkohet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali