50 të arrestuar në aksionin kundër drogës në Ballkan, narkotikët transportoheshin me kamionë

50 të arrestuar në aksionin kundër drogës në Ballkan, narkotikët transportoheshin me kamionë

Written by

in

50 të arrestuar në aksionin kundër drogës në Ballkan, narkotikët transportoheshin me kamionë

50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, i cili vepronte në disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.

Sipas Europol-it, të dyshuarit dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasje, rrëmbime dhe sulme me armë zjarri e granata dore në vende të ndryshme evropiane.

Operacioni u zhvillua më 6 tetor, me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë. Në aksion morën pjesë autoritetet e 22 shteteve, ndërsa numri më i madh i arrestimeve u regjistrua në Slloveni, ku u ndaluan 34 persona.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 66 kilogramë narkotikë, përfshirë kanabis dhe amfetaminë, si dhe armë, para të gatshme dhe stoli.

Sipas hetuesve, rrjeti kriminal fshihte drogën në ngarkesa të ligjshme mallrash dhe e transportonte me kamionë e furgonë drejt vendeve të ndryshme të Evropës. Për koordinimin e aktiviteteve, anëtarët e dyshuar përdornin platforma të enkriptuara komunikimi, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom.

Europol-i bëri të ditur se mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit dhe dështimi i dërgesave të drogës shpesh përfundonin me akte dhune, përfshirë vrasje, tentativa vrasjeje dhe rrëmbime. Në disa raste, cak i sulmeve ishin edhe familjarët e personave të përfshirë në rrjet.

Hetimet, të zhvilluara nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, kanë çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha të kokainës, kanabisit, metamfetaminës dhe substancave të tjera narkotike, si dhe të armëve dhe kimikateve të përdorura për prodhimin e drogës.

Përmes analizimit të komunikimeve dhe provave të mbledhura, hetuesit kanë identifikuar edhe transporte të tjera të dyshuara, përfshirë tonelata kanabisi dhe qindra kilogramë kokainë e heroinë.

Sipas Europol-it, operacioni u koordinua në kohë reale nga një qendër operative në Lubjanë, me mbështetjen analitike dhe operacionale të agjencisë evropiane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 50 të arrestuar në aksionin kundër drogës në Ballkan, narkotikët transportoheshin me kamionë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali