Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikur rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2025. Sipas ASK-së, tregtia me qarkullimin më të madh në 2025.
Sipas rezultateve në nivel vendi, gjatë vitit 2025, numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve aktive në sektorët ekonomikë të përfshirë në hulumtim ishte 48 506.
Gjithsej, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorët e përfshirë në hulumtim, gjatë vitit 2025 ka shënuar rënie për (- 4,0 %), krahasuar me vitin 2024. Ndërkaq, rritje është shënuar në sektorin furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar për 30,1 %.
Gjithsej, numri i të punësuarve në sektorët e përfshirë në anketë është rritur për 0,4 %. Derisa rënie është shënuar në aktivitetin e ndërtimtarisë për 11,1 %.
Gjithsej, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorët ekonomikë, të mbuluar në hulumtim, ishte 48 506. Në këtë numër nuk janë përfshirë: bujqësia, pylltaria, peshkimi, financat, arsimi, shëndetësia, aktivitetet e ekonomive familjare, si dhe administrata publike.
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve gjatë vitit 2025 u përket sektorëve: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve, motoçikletave (33,7 %); Aktivitetet e shërbimeve të tjera (22,1 %); Prodhimi (14,6 %); Ndërtimtaria (11,2 %); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (10,3 %); si dhe informacioni dhe komunikimi (4,2 %), etj.
Numri i përgjithshëm i të punësuarve sipas rezultateve të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) gjatë vitit 2025 ishte 294 254.
Shpërndarja e të punësuarve sipas sektorëve ekonomikë ishte te: Tregtia (32,4 %); Prodhimi (17,8 %); Aktivitetet e shërbimeve të tjera (15,4 %); Ndërtimtaria (10,0 %), etj.
Qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet ka shënuar rritje për 6,1 % në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024. Rritje të qarkullimit sipas sektorëve ekonomikë ka më së shumti në sektorin e shërbimeve të tjera për 13,9 %.
Paga mesatare kishte rritje me një normë prej 11,1 % në total, të sektorëve të përfshirë.
Kategoria e shpenzimeve, gjithashtu kishte rritje për 6,6 % në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024.
Paga mesatare bruto sipas këtij hulumtimi sillet nga 354 Euro në vitin 2015 në 658 Euro në vitin 2025.
Paga mesatare më e lartë ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, derisa ajo më e ulëta ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim.
“Qarkullimi më i madh i realizuar nga ndërmarrjet, sipas viteve ishte te tregtia me rreth 51,7 %. Kurse, përqindje më të vogël të qarkullimit kishte te ndërmarrjet nga xehetaria dhe gurëthyesit me rreth 0,7 % dhe ndërmarrjet me furnizim me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete revitalizimi të tokës me 0,6 %”, njofton ASK.
Burimi: RTKLive
