Kurti pret një Serbi që njeh Kosovën, Lista Studentore flet me gjuhën e vjetër të Beogradit

Kurti pret një Serbi që njeh Kosovën, Lista Studentore flet me gjuhën e vjetër të Beogradit

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret që qeveria e re në Serbi ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si testin themelor të demokracisë në shtetin fqinj.

Në një intervistë për Radio France Internationale (RFI), Kurti ka shprehur shpresën se Lista Studentore, e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, do ta pranojë realitetin dhe do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Megjithatë, kryeministri ka pranuar se ende nuk dihet saktësisht se cilat janë orientimet politike të fituesve të zgjedhjeve, për shkak të dallimeve që ekzistojnë brenda kësaj lëvizjeje.

“Testi i parë i demokracisë do të jetë njohja e Kosovës”, Kurti flet për Listën Studentore që mposhti Vuçiqin

“Besoj se është pikërisht njohja e pavarësisë së Kosovës ajo që do të jetë testi themelor i demokracisë në Serbi. Një Serbi demokratike do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Por, pritjet e Kurtit nuk përputhen me vlerësimet e disa njohësve të zhvillimeve politike në rajon dhe as me deklaratat që përfaqësuesit e Listës Studentore kanë dhënë deri më tani për Kosovën.

Ndryshimi i pushtetit në Beograd, pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit, ka krijuar pritje për një shkëputje nga politikat e deritanishme. Por, sipas vlerësimeve të njohësve, kjo shkëputje mund të jetë më e dukshme në politikën e brendshme dhe në raportet me disa shtete të rajonit, ndërsa Kosova mund të vazhdojë të mbetet përjashtim.

“Kosova mbetet përjashtim nga ndryshimi politik në Serbi”

Politologu kroat Davor Gjenero ka vlerësuar se fitorja e Listës Studentore mund të sjellë ndryshime në marrëdhëniet e Serbisë me vendet e tjera të rajonit, por jo domosdoshmërisht në raportet me Kosovën.

Në një bisedë për Dukagjinin, ai ka thënë se qëndrimi i kësaj lëvizjeje ndaj Kosovës përcaktohet nga dokumenti i saj politik, të cilin e ka emërtuar “Memorandumi për Kosovën”.

Sipas Gjeneros, përzgjedhja e këtij emërtimi nuk është e rastësishme, pasi lidhet me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986, që i parapriu kthesës nacionaliste në ish-Jugosllavi.

“Qasja çnjerëzore ndaj shqiptarëve të Kosovës është e zakonshme në mendësinë politike të Serbisë dhe, për fat të keq, ajo mbizotëron edhe në një pjesë të rëndësishme të spektrit politik të mbledhur rreth Listës Studentore”, ka deklaruar Gjenero.

Ai ka vlerësuar se Lista Studentore nuk e mbështet konceptin e zgjerimit territorial të Serbisë përtej kufijve të shteteve fqinje, por se Kosova mbetet përjashtim, pasi nuk ekziston gatishmëria për njohjen e pavarësisë së saj.

“Përjashtimi i vetëm është Kosova, lidhur me të cilën nuk ekziston gatishmëria për ta njohur pavarësinë”, ka thënë ai.

Gjenero ka shtuar se, ndonëse mund të ketë më pak retorikë armiqësore dhe marrëdhëniet e Beogradit me vendet e tjera të rajonit mund të bëhen më pak konfrontuese, për Kosovën nuk pret ndonjë përparim të mirëfilltë.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ish-politikani kosovar Azem Vllasi, i cili ka vlerësuar se votuesit serbë kanë shprehur pakënaqësi ndaj regjimit të Vuçiqit, por jo domosdoshmërisht edhe ndaj politikës së tij për vendet fqinje.

“Me rezultatet e këtyre votimeve, shumica serbe ka shprehur dëshirën që të heqë qafe një regjim i cili i ka shkaktuar pasoja vetë shtetit të tyre qe 40 vjet. Por jo të distancohet nga politika e atij regjimi ndaj fqinjëve”, ka deklaruar Vllasi për Dukagjinin.

Ai nuk pret ndryshim thelbësor në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, ndonëse ka thënë se qasja e udhëheqjes së re mund të mos jetë më e keqe se ajo e deritanishmja.

Vllasi ka vlerësuar se deklaratat e përfaqësuesve të Listës Studentore tregojnë se çështja e Kosovës mund të mos jetë prioritet i qeverisë së re, ndërsa ka kritikuar pretendimet se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë.

Duke iu referuar deklaratës së Dejan Shoshkiqit, profesorit universitar dhe ish-guvernatorit të Bankës Kombëtare të Serbisë, i përmendur si kandidat i mundshëm për kryeministër, Vllasi ka thënë se pretendimet e tilla shpërfillin opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.

Shoshkiqi, në një intervistë për mediumin kroat “Index”, kishte deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, duke u mbështetur në Kushtetutën serbe dhe në interpretimin e tij të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Pikërisht kjo deklaratë e Shoshkiqit flet se pushteti i ri nuk do të merret me çështjen e Kosovës”, ka thënë Vllasi.

Martens: Programi i Listës Studentore vazhdon linjën nacionaliste ndaj Kosovës

Kritikë edhe më të ashpër ndaj programit të Listës Studentore ka bërë gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Michael Martens.

Në një analizë të publikuar në këtë medium, ai ka vlerësuar se programi i politikës së jashtme të lëvizjes studentore përmban qëndrime nacionaliste dhe se, në çështjen e Kosovës, vazhdon linjën e Vuçiqit dhe të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas Martensit, programi nuk e kundërshton vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës, por nuk duket se e pranon as shtetësinë e saj si realitet politik.

Në dokumentin e lëvizjes thuhet se Serbia do të kundërshtojë vazhdimisht pavarësinë e shpallur të “të ashtuquajturës Republikë të Kosovës” dhe do të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Martens ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si Beogradi do të mund t’i realizonte këto pretendime, duke pasur parasysh se institucionet e Serbisë nuk ushtrojnë pushtet faktik në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.

Ai ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e lëvizjes ndaj marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë marrëveshjen e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Në programin e saj, Lista Studentore paralajmëron ndjekjen penale të përfaqësuesve të pushtetit të mëparshëm për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që i konsideron antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.

Martens ka theksuar se dokumenti përdor edhe termin “institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes” për institucionet e Kosovës, ndërsa parasheh vazhdimin e partneritetit me Rusinë për çështjet e përbashkëta, përfshirë Kosovën.

Sipas tij, nëse këto qëndrime shndërrohen në politikë zyrtare, rezultati nuk do të jetë çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj.

“Lista Studentore mund të shkëputet nga Vuçiqi, por qëndrimet për Kosovën mbeten të paqarta”

Një perspektivë tjetër për politikën e ardhshme të Beogradit ka dhënë gazetari i gazetës serbe “Danas”, Mladen Iliq.

Ai ka vlerësuar se Lista Studentore është ndërtuar mbi synimin për ndryshime strukturore dhe sistemike në Serbi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, punësimeve partiake, mungesës së transparencës dhe problemeve me lirinë e mediave.

Megjithatë, sipas Iliqit, brenda lëvizjes ekzistojnë qëndrime të ndryshme për Kosovën, prandaj është e vështirë të përcaktohet se çfarë politike do të ndjekë qeveria e re.

Ai ka theksuar se kritika kryesore e Listës Studentore ndaj Vuçiqit për Kosovën lidhet me gjendjen e serbëve që jetojnë atje dhe me atë që e konsiderojnë si dështim të politikës së tij ndaj tyre.

“Kur flasim për qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës, fokusi është më shumë te gjendja e serbëve në Kosovë sesa te marrëdhëniet me autoritetet në Prishtinë. Politika e Vuçiqit ka qenë katastrofike për serbët e Kosovës dhe kjo është linja kryesore e kritikës që vjen nga Lista Studentore”, ka deklaruar Iliq për Dukagjinin.

Sipas tij, disa kandidatë vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë dhe besojnë se Beogradi një ditë do ta rikthejë kontrollin efektiv mbi të, ndërsa të tjerë e pranojnë realitetin në terren dhe janë të vetëdijshëm se Serbia nuk ka rol në strukturat kryesore administrative dhe të sigurisë në Kosovë.

Iliq ka theksuar se Lista Studentore dhe lëvizja studentore nuk janë domosdoshmërisht e njëjta strukturë, pasi kjo e fundit përbëhet nga studentët e organizuar në plenume, të cilat kanë përzgjedhur kandidatët për deputetë.

Sa i përket dialogut, ai ka thënë se disa përfaqësues të Listës Studentore kanë deklaruar se do ta vazhdojnë atë me Prishtinën, por njëkohësisht kanë paralajmëruar rishikimin e marrëveshjeve të arritura nga qeveritë e mëparshme, për të vlerësuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e Serbisë.

Sërdanoviq: Dialogu vazhdon, por marrëveshjet mund të rishikohen

Këtë qëndrim e ka shprehur edhe Ilija Sërdanoviq, i pari në listën zgjedhore të kësaj lëvizjeje.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka deklaruar se vazhdimi i dialogut me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve është pjesë themelore e programit të tyre.

Megjithatë, Sërdanoviq ka theksuar se platforma e Listës Studentore mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Serbisë.

“Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë kanë dakorduar në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, ka deklaruar ai.

Kjo nënkupton se, ndonëse Lista Studentore shprehet e gatshme për vazhdimin e dialogut, nuk ka dhënë garanci për vazhdimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Edhe Shoshkiqi, i përmendur si kandidat i mundshëm për kryeministër, ka shprehur një qëndrim të qartë kundër njohjes së Kosovës, duke e cilësuar atë pjesë të Serbisë.

Ndërkaq, për çështjen e Milan Radojçiqit, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, përfaqësuesit e Listës Studentore nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare.

Gazetari Iliq ka vlerësuar se Lista Studentore mund të ndërmarrë veprime për ndjekjen penale të Radojçiqit, por ka theksuar se ende nuk dihet nëse kjo do të bëhej përmes sistemit gjyqësor serb apo përmes ekstradimit të tij në Kosovë.

Ai ka thënë se një prej pengesave kryesore mund të jetë ndikimi i pushtetit të mëparshëm në institucionet e sigurisë, përfshirë Xhandarmërinë dhe Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA), të cilat sipas tij e kanë mbrojtur Radojçiqin.

Nga ana tjetër, Sërdanoviq, i pyetur nga REL-i për kërkesën e Kosovës për ekstradimin e tij, nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar.

“Në këtë moment nuk mund t’ju jap një vendim, madje as një qëndrim personal për këtë çështje, sepse jam vetëm një nga anëtarët e listës që ende nuk e ka formuar Qeverinë”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se vendimet për çështje të tilla do të merren në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Serbi.

Përfaqësuesit e Listës Studentore vizitojnë Kosovën, quajnë pjesë të Serbisë

Qëndrimet e përfaqësuesve të Listës Studentore për Kosovën janë shfaqur edhe gjatë vizitës së tyre në vend, më 8 dhe 9 nëntor.

Sipas njoftimeve publike, gjatë qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje kanë zhvilluar kryesisht takime me klerikë të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe kanë vizituar Prizrenin dhe Manastirin e Graçanicës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur për televizionin Dukagjini se nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare dhe nuk ka lëshuar miratim për një vizitë të tillë.

Sipas MPJD-së, meqë përfaqësuesit e Listës Studentore ende nuk mbajnë funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Kosovë janë realizuar si qytetarë të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat për shtetasit serbë.

Megjithatë, deklaratat e tyre publike gjatë kësaj vizite kanë pasur përmbajtje të qartë politike.

Fegja Dimoviq, kandidat i Listës Studentore, ka deklaruar se Kosova zë vend të rëndësishëm në programin e tyre politik, duke e cilësuar atë si “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit shpirtëror dhe kulturor”.

Pavarësisht pritjeve të Kurtit për një Serbi demokratike që do ta njohë Kosovën, deklaratat e deritanishme të përfaqësuesve të Listës Studentore dhe vlerësimet e njohësve tregojnë se një ndryshim i tillë nuk është i afërt.

Derisa Sërdanoviq premton vazhdimin e dialogut, por lë të hapur rishikimin e marrëveshjeve, Shoshkiqi e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, ndërsa Dimoviqi e përshkruan atë si pjesë të identitetit serb.

 

Burimi: Dukagjini