Zvicra përmirësohet në luftën kundër ndryshimeve klimatike, por kritikohet për një aspekt të rëndësishëm

Zvicra përmirësohet në luftën kundër ndryshimeve klimatike, por kritikohet për një aspekt të rëndësishëm

Written by

in

Zvicra është ngjitur për dy vende në renditjen ndërkombëtare të mbrojtjes së klimës, duke u pozicionuar në vendin e 24-të. Megjithatë, pavarësisht këtij përmirësimi, vendi vazhdon të mbetet në mesin e tabelës, kryesisht për shkak të vlerësimeve të dobëta për politikën e tij klimatike.

Rezultatet e Indeksit të Performancës së Ndryshimeve Klimatike (CCPI) u prezantuan të mërkurën, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, shkruan Watson.

Renditja përpilohet nga organizatat mjedisore Germanwatch dhe Instituti i Klimës së Re. Ajo krahason performancën klimatike të 64 vendeve dhe Bashkimit Evropian, të cilat së bashku janë përgjegjëse për më shumë se 90 për qind të emetimeve globale të gazrave serrë.

Vlerësimi bazohet në katër fusha kryesore: emetimet e gazrave serrë, zgjerimin e energjive të rinovueshme, konsumin e energjisë dhe politikën klimatike, përcjell Telegrafi.

Zvicra merr nota të dobëta për vendimet politike

Arsyeja kryesore pse Zvicra nuk arrin një pozicion më të mirë në renditje lidhet me vlerësimet për politikën e saj klimatike.

Edhe pse vendi shënon rezultate të mira në treguesit e matshëm të konsumit të energjisë për frymë, ekspertët e mjedisit i kanë dhënë vlerësim të dobët për vendimet dhe politikat e ndjekura në këtë fushë.

Sipas ekspertëve, Zvicra rrezikon të mos e përmbushë objektivin e saj për uljen e emetimeve të gazrave serrë me të paktën 50 për qind deri në vitin 2030, transmeton Telegrafi.

Raporti kritikon gjithashtu mbështetjen e madhe të vendit në reduktimin e emetimeve jashtë kufijve të tij.

“Në vend që të mbështetet në ulje të pasigurta dhe të padrejta të emetimeve jashtë vendit, Zvicra duhet të zvogëlojë emetimet e saj të brendshme më shpejt”, ka deklaruar Patrick Hofstetter nga WWF Zvicër, në një reagim të përbashkët të WWF-së dhe Greenpeace-it lidhur me renditjen.

Tri pozitat e para mbeten të zbrazëta

Ashtu si në vitet e kaluara, tri pozitat e para të renditjes nuk i janë ndarë asnjë vendi.

Sipas organizatave që përpilojnë indeksin, kjo bëhet për shkak se asnjë shtet në botë nuk po ndërmerr masa të mjaftueshme për të parandaluar ndryshimet e rrezikshme klimatike dhe për të përmbushur plotësisht objektivat e Marrëveshjes së Parisit për Klimën.

Danimarka kryeson renditjen në vendin e katërt, e ndjekur nga Lituania në vendin e pestë dhe Luksemburgu në të gjashtin.

Sa u përket vendeve fqinje, Zvicra renditet pas Francës, e cila zë vendin e 20-të, por pak përpara Gjermanisë, që është në vendin e 25-të. Austria renditet në vendin e 33-të, ndërsa Italia në të 41-tin.

Në fund të renditjes, me vlerësimet më të dobëta për mbrojtjen e klimës, gjenden Arabia Saudite, Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani./Telegrafi/