Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila ka dalë pas 40 minutash nga ambientet e SPAK. Pas daljes, Mila ka mbajtur shkurtimisht një deklaratë për mediat ku ka bërë me dije se është thirrur si person në dijeni dhe ka dhënë dëshminë e saj.
“Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf ti deklaroni, vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër.
Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim. Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time. Ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë. Sa herë SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë, edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, tha Mila para gazetarëve, raporton euronws.al