Një problem shqetësues po merr përmasa të mëdha në sportin e të rinjve.
Sipas një hulumtimi të transmetuesit publik gjerman ARD, të paktën 10 milionë fëmijë në mbarë botën mund të jenë të përfshirë në përdorimin e substancave të dopingut, një praktikë që po rrezikon shëndetin dhe të ardhmen e tyre sportive.
Gjetjet janë pjesë e një serie dokumentarësh të realizuar pas gjashtë vjetësh kërkime në më shumë se 50 shtete dhe 25 sporte të ndryshme.
Foto ilustruese
Për të arritur te kjo shifër, ekipi i ARD-së dhe ekspertët kanë analizuar 44 studime nga 15 vende, të bazuara në anketime anonime me sportistë të rinj.
Miliona fëmijë të ekspozuar ndaj substancave të ndaluara
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 200 milionë fëmijë të moshës 8 deri në 17 vjeç merren me sport garues në nivel global.
Duke u bazuar në studimet e analizuara, vlerësohet se 5 deri në 6 për qind e tyre përdorin substanca për përmirësimin e performancës.
Paulo David, ish-sekretar i Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, ka theksuar se kjo përqindje përkthehet në rreth 10 milionë të mitur të përfshirë në përdorimin e dopingut.
Paulo
Sipas tij, bëhet fjalë për një problem serioz, i cili deri më tani nuk ka marrë vëmendjen dhe reagimin e duhur nga institucionet sportive.
Substancat më të përdorura, sipas hulumtimit, janë steroidet anabolike dhe hormoni i rritjes.
Një tjetër aspekt veçanërisht shqetësues është se disa fëmijë mund t’i marrin këto preparate pa e ditur se çfarë përmbajnë, pasi u prezantohen si vitamina apo produkte të padëmshme.
Presioni për rezultate po i shtyn të miturit drejt dopingut
Hulumtimi evidenton se përdorimi i substancave të ndaluara nuk kufizohet vetëm në sportin elitar.
Fëmijët mund të ekspozohen ndaj tyre edhe në nivele më të ulëta të garave, ndërsa sigurimi i këtyre preparateve, sipas ekspertëve, nuk është gjithmonë i vështirë.
Autorët e dokumentarit kanë evidentuar raste ku trajnerë, zyrtarë sportivë, prindër dhe madje edhe mjekë kontribuojnë në krijimin e një ambienti ku suksesi dhe rezultatet vendosen mbi shëndetin e sportistëve të rinj.
Një tjetër problem është mungesa e të dhënave të pavarura në disa prej vendeve ku dyshohet se fenomeni është më i përhapur, përfshirë Rusinë, Indinë dhe Kinën.
Vetëm rreth 100 raste pozitive në vit
Përmasat e mundshme të problemit bëhen edhe më shqetësuese kur krahasohen me rezultatet e kontrolleve antidoping.
Sipas të dhënave të përmendura në hulumtimin e ARD-së, vetëm rreth 100 të mitur në vit rezultojnë pozitivë në testimet për doping.
Ky dallim ngre pikëpyetje të mëdha për efektivitetin e kontrolleve dhe për numrin e rasteve që mund të mbeten të pazbuluara.
Për më tepër, përdorimi i substancave të tilla në moshë të hershme mund të shkaktojë efekte anësore dhe pasoja afatgjata për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Hulumtimi i ARD-së, i cilësuar nga autorët si një vështrim në anën më të errët të sportit botëror, synon të rikthejë vëmendjen te përgjegjësia e institucioneve sportive për mbrojtjen e sportistëve të mitur.
Seria dokumentare nis publikimin më 13 nëntor. /Telegrafi/