Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në rrugën drejt integrimit evropian, pavarësisht kritikave dhe vlerësimeve të përfshira në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për vitin 2026.
Duke folur në emër të grupit parlamentar të LVV-së në debatin e sotëm në Kuvend, Gashi tha se vendi ka arritur suksese në përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare.
Ajo veçoi liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi në vitin 2024, si një prej arritjeve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
“Për ne si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me aleatët tanë, ky debat parlamentar po ashtu është një mundësi e mirë për të prezantuar sukseset dhe përparimin e pamohueshëm të Republikës së Kosovës në rrugëtimin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Gashi.
Deputetja theksoi se integrimi evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, ndërsa vlerësoi se mosshqyrtimi i aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian përbën sfidë edhe për vetë procesin e zgjerimit të BE-së.
Sipas saj, një prej faktorëve që ka ndikuar në ngecjet e vendit është edhe bllokada institucionale.
“Raporti i Progresit duhet lexuar në kontekstin politik dhe institucional në të cilin është hartuar. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje: një palë lokale dhe dy palë nacionale. Këto procese zgjedhore ishin demokratike, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Mbi të gjitha, ky raport e identifikon bllokadën institucionale në qendër. Bllokada institucionale ka kosto reale, me ligje të pamiratuara, pasi nuk ka ekzistuar Kuvendi, reforma të ngadalësuara, pasi kemi pasur një qeveri në detyrë, dhe vonesa në miratimin e Planit të Rritjes. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura kanë pasur mungesë të mbikëqyrjes së Kuvendit”, shtoi Gashi.
Gashi shtoi se Kosova ka vazhduar përpjekjet për përafrimin me standardet evropiane, ndërsa kërkoi që perspektiva e saj evropiane të trajtohet me seriozitet nga institucionet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/