
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorimin e 62 mijë e 902 eurove nga dy grante ndërkombëtare me vlerë të përgjithshme prej mbi 575 mijë eurosh. Sipas këtij organi, të arrestuarit dyshohet se kanë paraqitur raporte të rreme financiare për blerjen e makinerive, duke pretenduar rrejshëm se shpenzimet ishin realizuar plotësisht.
Veriu.info raporton se të arrestuarit janë Hasan Lahu, ish-drejtor në fabrikën “Hirano Mushroom L.L.C”, si dhe Taulant Murati, i cili ka bashkëpunuar me këtë ndërmarrje përmes shërbimeve të konsulencës. Ndërmarrja në fjalë lidhet me biznesmenin Behgjet Pacolli, i cili zotëron 43% të aksioneve.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar vetë Behgjet Pacolli, i cili deklaroi se të ndaluarit kanë vepruar si vartës të Valon Llukës brenda kompanisë “Hirano“ (pjesë e Grupit Mabetex).
Raporti i Policisë lidhur me aksionin:
“Të dyshuarit janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar’. Dy të dyshuarit: H.L., dhe T.M., (meshkuj kosovarë), në cilësi të drejtorit të një kompanie, gjegjësisht tjetri si menaxher i saj, dyshohen që kanë pranuar dy grante në vlerë prej 575,736.00 €. Granti i parë është fituar në vlerë prej 293,500.00 €. Dyshohet që nga shuma e përgjithshme e këtij garanti janë keqpërdorur 23,000.00 € duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi. Granti i dytë është fituar në vlerë prej 282,236.00€, nga kjo shumë janë keqpërdorur 39,902.00€ duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi. Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 € në tersi.”
Burimi: Insajderi