
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.M., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili akuzohej nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për veprën penale “Grabitja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Sulltan Dobraj, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor të pandehurin dhe i ka shqiptuar dënim me 7 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 eurosh.
Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center” në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë. I pandehuri A.M., në bashkëkryerje me dy të miturit I.A. dhe A.A., kishin lënë një takim me të dëmtuarin E.B.
Pasi kishin arritur në vendngjarje, i pandehuri A.M. i ishte afruar të dëmtuarit, i kishte kapur çantën nga qafa ndërsa në dorë mbante një thikë. Gjatë përleshjes, i pandehuri e kishte goditur të dëmtuarin disa herë në krahun e majtë me dorezën e thikës, e më pas ia kishte prerë rripin e çantës së krahut për t’ia marrë atë.
Pasi e kishte hapur çantën, i pandehuri i kishte marrë nga portofoli shumën prej 115 eurosh. Të revoltuar nga ajo që gjetën, i pandehuri së bashku me dy të miturit e kishin goditur sërish me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Burimi: Sinjali