
Aksion i rëndësishëm i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar në Mitrovicën e Veriut. Ditën e sotme, më 11 nëntor, organet e rendit kanë ndërhyrë në dy lokacione të ndryshme në veri të vendit, ku dyshohej se po zhvilloheshin veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit të detajuar në këto dy ambiente, policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë në cilësinë e provave materiale telefona celularë, laptopë, dokumente të ndryshme si dhe pajisje të tjera elektronike që shërbenin për organizimin e bixhozit.
Për këtë rast janë shoqëruar në stacionin policor katër persona, të cilët janë intervistuar nga hetuesit lidhur me veprimtarinë e paligjshme.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë inicu me rastet për veprën penale «Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm». Pas kompletimit të procedurave të intervistimit, me vendim të prokurorit, katër personat janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, të dy lokalet ku zhvillohej ky aktivitet i kundërligjshëm janë mbyllur menjëherë nga ana e Inspektoratit.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e ligjit dhe luftimin e dukurive negative, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion apo rast të dyshimtë në numrin emergjent 192.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali