LEX | Masakra e Padalishtës ku u vranë civilë shqiptarë – po mbahet seanca dëgjimore ndaj Zikica dhe Gruica Beloseviqit

LEX | Masakra e Padalishtës ku u vranë civilë shqiptarë – po mbahet seanca dëgjimore ndaj Zikica dhe Gruica Beloseviqit

Written by

in

LEX | Masakra e Padalishtës ku u vranë civilë shqiptarë – po mbahet seanca dëgjimore ndaj Zikica dhe Gruica Beloseviqit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet sot, më 12 nëntor 2026, seanca dëgjimore ndaj Zikica dhe Gruica Beloseviqit, të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Dy të dyshuarit, Zikica Beloseviq, 59-vjeçar, dhe Gruica Beloseviq, 56-vjeçar, ishin arrestuar më 29 tetor 2026, nën dyshimin për përfshirje në masakrën e Padalishtës, në komunën e Istogut, të ndodhur më 26 mars 1999.

Sipas informacioneve që kishte siguruar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës kishin zhvilluar hetime për një periudhë të gjatë lidhur me këtë masakër, ku në mesin e viktimave ishin edhe anëtarë të familjes Imeraj.

Pas mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale, më 25 shtator 2026 ishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Dokumente të ushtrisë serbe dhe fotografi nga lufta

Gazeta Sinjali kishte raportuar se gjatë operacionit policor dhe kontrolleve të kryera pas arrestimit të dy të dyshuarve ishin siguruar dokumente që lidheshin me shërbimin në ushtrinë serbe gjatë luftës në Kosovë.

Sipas burimeve të Sinjalit, Zikica Beloseviq ishte arrestuar në Osojan të Istogut, ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tij ishin gjetur dokumente dhe materiale që mund të kenë rëndësi për hetimet.

Në mesin e materialeve të raportuara përmendeshin edhe fotografi nga periudha e luftës, të cilat pritet të vlerësohen nga organet kompetente në kuadër të procedurës penale.

Rasti lidhet me ngjarjet e 26 marsit 1999 në Padalishtë të Istogut, ku civilë shqiptarë u vranë gjatë operacioneve të forcave serbe.

Seanca e sotme zhvillohet në kuadër të procedurës gjyqësore ndaj dy të dyshuarve, ndërsa përgjegjësia e tyre eventuale penale mbetet të përcaktohet nga gjykata.

Gazeta Sinjali do të raportojë për zhvillimet nga seanca.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali