
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që gjatë muajve në vijim të nisë mbikëqyrje të shtuar të çmimeve, me qëllim të parandalimit të shtrenjtimit të pajustifikuar të produkteve bazë.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Nagavci ka theksuar se, pas miratimit të Ligjit për çmimet tavan, ka nisur puna për funksionalizimin e tij, prandaj institucionet duhet të forcojnë menjëherë mbikëqyrjen e tregut, në mënyrë që të ndërhyjnë me kohë në rast të shkeljeve nga tregtarët.
“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga; buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka përmendur edhe masat e ndërmarra nga Qeveria deri më tani për qytetarët, por ka theksuar se rritja e të ardhurave duhet të mbrohet nga shtrenjtimi i pajustifikuar i çmimeve.
“Rritja e të ardhurave duhet të ruhet edhe nga shtrenjtimi i pajustifikuar i çmimeve. Pikërisht për këtë është zhvilluar beteja për Ligjin e njohur si Ligji për çmime tavan. Ky ligj i jep mundësi shtetit që të kufizojë marzha tregtare dhe të caktojë çmim maksimal për produkte themelore në rast të abuzimeve. Duke vlerësuar punën e deritanishme dhe masat që janë ndërmarrë, i bëjmë thirrje Qeverisë që të nis mbikëqyrje të shtuar të çmimeve këtyre muajve. Të përcillen çmimet e produkteve themelore nga importi deri te shitja te konsumatori. Të kontrollohen marzhat tregtare dhe të hetohet çdo dyshim për marrëveshje mes tregtarëve që kufizojnë konkurrencën dhe sjellin shtrenjtim të pajustifikuar”, ka thënë Nagavci.
Në fjalën e saj, Nagavci ka folur edhe për ndikimin e konflikteve ndërkombëtare në ekonominë e Kosovës, duke theksuar se ato nuk duhet të shërbejnë si arsyetim për çdo rritje të çmimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali