Vendimi u miratua unanimisht, me 27 vota për, në një seancë të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku.
Gjatë arsyetimit para kuvendarëve, drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, tha se seanca është thirrë për të siguruar që punonjësit e Komunës t’i marrin pagat e nëntorit në afat, për të shtuar se në pesë nënprograme, mjetet e ndara për paga nuk mjaftojnë për t’i mbuluar pagesat e këtij muaji.
Në kuadër të kësaj, ai ka sqaruar nënprogramet përfituese, ku për Zyrën e Kuvendit janë 41.118, 97 euro, për zjarrfikësit dhe inspektimet – 22.104,95, planifikimi dhe zhvillimi ekonomik – 1.989,36, shërbimet kujdesit primar shëndetësor – 151.723,12 dhe për arsimin fillor – 281.035,70 euro.
“Për t’i mbuluar këto mungesa në kohë, kërkoj miratimin e transferit prej 497.972,10 eurosh brenda kategorisë “Paga dhe Shtesa”, nga mjetet që Komuna i ka në dispozicion në nënprograme të tjera”, ka thënë Kastrati.
Gjatë debatit para votimit, nga pozita, Shpend Nuhiu (LVV), i ka dhënë mbështetje kësaj nisme, ndërkaq, grupet opozitare, përkatësisht Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK) dhe Sami Ahmeti (LDK), kanë kërkuar garanci nëse prej këtij transferi Komuna ka siguruar mjetet e mjaftueshme për t’i siguruar pagat e punëtorëve.
Ndërkaq, në fillim të seancës, Kuvendi Komunal mbajti një minutë heshtje në nderim të ish-drejtorit komunal, Bajram Isufi, i cili ndërroi jetë ditë më parë.
Kryesuesja Latifi-Kqiku e kujtoi atë për kontributin në qytetin e Gjilanit, fillimisht në radhët e UÇK-së dhe më pas përmes angazhimit të tij në institucione.
Burimi: RTKLive
