Dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë

Dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë

Written by

in

Mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë janë bllokuar nga Dogana e Tiranës, pasi gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi në etiketimin e tyre.

Sipas njoftimit të Administratës Doganore, bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore dhe lodrash të ambalazhuara, të cilave u mungonte informacioni i detyrueshëm mbi datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit.

Parregullsitë u evidentuan gjatë kontrollit fizik të mallrave, të kryer në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, nga Dega Doganore Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Mungesa e këtij informacioni përbën shkelje të kërkesave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.

Për këtë arsye, autoritetet doganore kanë vendosur bllokimin e të gjithë ngarkesës dhe moslejimin e çlirimit të mallrave deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar angazhimin maksimal të strukturave përgjegjëse për verifikimin e rastit dhe ndjekjen e mëtejshme ligjore.

Administrata Doganore deklaron se kontrollet do të vijojnë me qëllim parandalimin e hedhjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet dhe kërkesat ligjore, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Telegrafi/