
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës u kanë bërë thirrje deputetëve që të sigurojnë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale në buxhetin e vitit 2027.
Organizatat kanë theksuar se rastet e fundit, përfshirë vrasjen e Arlinda Zekajt dhe atë të një foshnjeje tre muajshe në Gjilan, dëshmojnë nevojën urgjente për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve dhe grave.
Sipas tyre, 38 Qendrat për Punë Sociale dhe rreth 50 organizatat e licencuara përballen me mungesë të stafit dhe financimit. Në komunat e mëdha, një zyrtar social trajton mesatarisht 350 lëndë aktive në vit.
Për këtë arsye, organizatat kërkojnë punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale, me kosto vjetore prej 1.68 milionë eurosh, si dhe angazhimin e zyrtarëve shtesë për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, me kosto prej rreth 707 mijë eurosh në vit.
Po ashtu, ato kërkojnë rritjen e buxhetit për organizatat e licencuara nga 2.5 milionë në së paku 5 milionë euro në vit, për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve sociale dhe familjare.