“Dardanët” do ta zhvillojnë të premten stërvitjen e fundit, para përballjes me izraelitët, e cila luhet të shtunën, nga ora 15:00.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), përzgjedhësi Franco Foda ka vazhduar punën me futbollistët, duke u përqendruar në aspektet taktike, organizimin e lojës dhe përgatitjen e detajeve për këtë sfidë.
Stërvitja e së enjtes ishte e hapur për media vetëm gjatë pesëmbëdhjetë minutave të para, ndërsa pjesa tjetër e punës u zhvillua me dyer të mbyllura.
Shqetësim për shtabin teknik paraqet gjendja e Ermal Krasniqit. Futbollisti i krahut ka munguar në stërvitjen e fundit për shkak të problemeve muskulore.
FFK-ja ka bërë të ditur se pas ekzaminimeve mjekësore do të ketë më shumë informacione për gjendjen e tij dhe mundësinë e aktivizimit në ndeshjet e ardhshme.
Krasniqi rrezikon të mungojë në përballjet kundër Izraelit dhe Irlandës, kjo e fundit e planifikuar të zhvillohet më 17 nëntor në Dublin.
Ndërkohë, Kosova ka mbetur pa shërbimet e qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova, i cili është liruar më herët nga grumbullimi për shkak të lëndimit. Për shkak të problemeve fizike, në dispozicion të Fodës nuk është as qendërmbrojtësi Albian Hajdari.
Në renditjen e Grupit B3, Kosova zë vendin e dytë me pesë pikë, ndërsa Izraeli është i fundit me dy pikë.
Burimi: RTKLive
