
Historia e jashtëzakonshme e një gruaje që u ngrit kundër planeve për shndërrimin e malit të saj në poligon ushtarak ka marrë vëmendje ndërkombëtare përmes dokumentarit “To Hold a Mountain”.
Filmi rrëfen jetën e Mileva “Gara” Jovanovićit, një bareshë nga Mali i Zi, e cila udhëhoqi qëndresën e komunitetit të blegtorëve kundër planeve të qeverisë për ta kthyer një pjesë të malësisë së Sinjajevinës në zonë stërvitore dhe testimi armësh për NATO-n.
Dokumentari, i realizuar nga Biljana Tutorov dhe Petar Glomazić, ndjek përditshmërinë e Garës, lidhjen e saj të veçantë me malin dhe përpjekjet për të ruajtur një mënyrë jetese që është trashëguar ndër breza.
Gara u bë figura kryesore e protestës kundër planeve ushtarake, pasi u ngrit mbi një kalë të bardhë, mori megafonin dhe mbajti një fjalim para komunitetit, në një kohë kur burrat hezitonin të flisnin.
Përtej betejës për kullotat, filmi zbulon edhe historinë personale të saj, duke trajtuar dhimbjen, mbijetesën, përkushtimin ndaj fëmijëve dhe dëshirën për të jetuar e lirë.
“Askush nuk e përcakton rrugën time në jetë. Liria nuk ka çmim”, është një nga mesazhet e Garës në dokumentar.
Ajo tregon se mali për të nuk është vetëm burim jetese, por një qenie e gjallë që i jep forcë dhe i shëron shpirtin. Madje, shprehet se do të ishte e gatshme të sakrifikonte jetën për ta mbrojtur atë për brezat e ardhshëm.
Dokumentari ka marrë vëmendje të madhe në festivale ndërkombëtare. Në fillim të këtij viti, ai fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në kategorinë ndërkombëtare të dokumentarit në festivalin Sundance, si dhe është vlerësuar në festivale të tjera.
Një zhvillim i rëndësishëm për komunitetin ishte edhe anulimi i planeve për krijimin e zonës ushtarake në verën e vitit 2025. Për këtë arsye, autorët vendosën ta rikthejnë filmin në montazh për ta përfshirë edhe këtë moment fitoreje.
Sot, Gara e sheh malin si “kështjellën” e saj, ndërsa historia e saj është shndërruar në një rrëfim për forcën e grave, mbrojtjen e natyrës dhe të drejtën për të zgjedhur mënyrën e jetesës.
“E kuptuam gjithashtu se historia e tyre ka një thellësi mitologjike. Dhe Gara ishte gjithmonë aq e mençur sa të thoshte gjatë xhirimeve: ‘Nuk është vetëm historia ime. Është historia e të gjitha grave’”, ka thënë bashkëregjisorja Biljana Tutorov.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali