
Një rast i rëndë i dyshuar i dhunimit të një vajze të mitur është denoncuar në Gjakovë, ku një 16-vjeçare ka rrëfyer para hetuesve se ishte marrë me veturë nga një 21-vjeçar dhe ishte dërguar në një motel, ku dyshohet se është dhunuar seksualisht. Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit, i cili aktualisht ndodhet jashtë Kosovës.
Bëhet fjalë për Shkëlzen Radostën, 21 vjeçar, ndaj të cilit kanë nisur hetimet pas denoncimit të bërë të enjten, më 12 nëntor, rreth orës 11:00, nga babai i vajzës, i cili është paraqitur së bashku me të në Stacionin Policor në Gjakovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, 16-vjeçarja ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur rreth gjashtë apo shtatë muaj më parë, kur Radosta e kishte marrë me veturë pranë shtëpisë dhe ishin nisur në drejtim të Prizrenit.
Gjatë rrugës, sipas deklarimit të saj, kishin hyrë në një motel, ku i dyshuari kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.
Pas denoncimit, Policia ka shkuar në adresën e banimit të 21-vjeçarit, por nuk e ka gjetur.
Familjarët e tij kanë deklaruar se ai ndodhet jashtë Kosovës, ndërsa deri në këtë fazë nuk është siguruar prania e tij për intervistim.
Me udhëzim të Prokurorisë së Shtetit, Departamenti për Krime të Rënda, rasti është iniciuar për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa hetimet po zhvillohen nga njësia rajonale e hetimeve.
Burimi: Sinjali