Gjykata Themelore në Manastir dënoi ish-drejtorin e TEC “Manastir”, Pece Matevski, me dy vjet burg për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit në një prokurim publik për nxjerrjen e djerrinës. Me vendimin e shkallës së parë, gjykata përcaktoi se në procedurën e tenderit me vlerë mbi 11 milionë euro, termocentrali pësoi dëme prej afërsisht 2.9 milionë eurosh.
Rastk ka të bëjë me një prokurim të vitit 2022 për nxjerrjen e djerrinës në minierën Brod Gneotino. Kontrata iu dha kompanisë “Rud Kop” me seli në Manastir, pasi oferta e “Granit” me seli në Shkup u refuzua nga procedura. Sipas aktakuzës, “Granit” përmbushi kërkesat teknike dhe ofroi çmimin më të ulët, por pasi oferta u refuzua, nuk mori pjesë në ankandin elektronik.
Gjykata konstatoi se Matevski dhe tre anëtarë të komisionit të ekspertëve në këtë mënyrë i kanë mundësuar “Rud Kop”-it të realizojë fitim në shumën e diferencës midis çmimeve të ofruara. Sipas arsyetimit të gjykatës, dëmi për TEC “Manastir” arrin në 178.370.319 denarë.
Tre anëtarët e komisionit të ekspertëve morën dënime me kusht. Gjykata i dënoi secilin prej tyre me nga një vit burg, të cilin nuk do ta vuajnë nëse nuk kryejnë një krim të ri brenda dy viteve nga momenti kur vendimi të bëhet i formës së prerë. Tre punonjës të Byrosë së Prokurimit Publik morën gjithashtu dënime me kusht, ndërsa tre anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik u liruan nga akuzat./Telegrafi/