
Ish-profesori i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ishte paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tij për veprën penale “Ngacmimi seksual”, raporton Gazeta Sinjali.
Krasniqi mbërriti në sallën e gjykimit, ndërsa prokurori i shtetit nuk u paraqit. Ai ishte ftuar me ftesë të rregullt dhe deri në kohën e caktuar për seancën nuk e kishte arsyetuar mungesën.
Seanca ishte ricaktuar për sot, 13 nëntor, në orën 09:30. Shqyrtimi gjyqësor ishte paraparë të niste rreth dy muaj më parë, por nëntë seancat e planifikuara në bllok ishin shtyrë njëra pas tjetrës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Krasniqit më 11 prill 2025, pas denoncimit të 27 studenteve të Fakultetit të Mjekësisë. Në aktakuzë përshkruhen deklaratat e katër studenteve që në këtë rast figurojnë si të dëmtuara dhe dëshmitare. Sipas Prokurorisë, deklaratat e tyre përputhen dhe janë ndër provat mbi të cilat mbështetet akuza.
“M’ke thonë ‘ko me t’bo masazh’”, kishte deklaruar njëra nga studentet, duke treguar se çfarë pretendon se i kishte thënë ish-profesori.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar, më 1 korrik 2025. Universiteti i Prishtinës e kishte pezulluar nga puna në vitin 2024, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës.
Xhevat Krasniqi prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali