Trumpi nuk do ta shpëtojë Ukrainën, por tradhtia e Marine Le Penit mund të jetë më e keqe

Trumpi nuk do ta shpëtojë Ukrainën, por tradhtia e Marine Le Penit mund të jetë më e keqe

Written by

in

Udhëheqësit evropianë duhet urgjentisht të përgatiten për një presidente franceze të së djathtës ekstreme, e cila do t’ia ndërpriste Kievit linjën jetike të financimit.

Nga: Mujtaba Rahman / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Evropa është e konsumuar nga dy debate që kanë më pak rëndësi nga sa mendon, ndërkohë që po shpërfill një që ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. I pari është se kush duhet ta përfaqësojë BE-në në negociatat me Rusinë. Kjo është kryesisht e parëndësishme, sepse ka pak gjasa për bisedime serioze paqeje për Ukrainën para fundit të dimrit – pavarësisht bujës që i ka shoqëruar diskutimet në Abu Dabi këtë javë. Rusia ka arsye të fuqishme për ta përshkallëzuar luftën gjatë muajve të ardhshëm, në përpjekje për të thyer ekonominë e Ukrainës dhe moralin e civilëve.

I dyti është qasja e Donald Trumpit ndaj Ukrainës. Kjo ka më pak rëndësi se dikur – dhe jo vetëm sepse ai tani është më i kufizuar nga një Kongres demokrat. Që nga rikthimi në detyrë në janar 2025, Trumpi nuk i ka dhënë Kievit asnjë ndihmë të re ushtarake amerikane. Shitjet amerikane të armëve mbeten të rëndësishme për përpjekjen luftarake të Ukrainës, por ndërhyrjet ushtarake të Trumpit në Lindjen e Mesme i kanë rënduar edhe më shumë furnizimet me armët të cilat Ukrainës i duhen më së shumti – veçanërisht interceptorët Patriot.

Ukraina mbetet shumë e varur nga inteligjenca amerikane e paralajmërimit të hershëm, veçanërisht për të zbuluar raketat balistike ruse që po afrohen, një aftësi të cilën Evropa nuk ka gjasa ta riprodhojë plotësisht para vitit 2030. Por, pika më e gjerë mbetet: ShBA-ja është partner më pak i domosdoshëm për Ukrainën sesa ishte dy vjet më parë.

Debati që udhëheqësit evropianë po shpërfillin është shumë më pranë shtëpisë: çfarë ndodh nëse, pas gjashtë muajsh, Marine Le Pen i fiton zgjedhjet presidenciale të Francës?

Presidentja Le Pen do ta pezullonte ndihmën dypalëshe të Francës për Ukrainën. Me pasoja edhe më të mëdha, kundërshtimi i saj ndaj rritjes së kontributit të Francës në buxhetin e BE-së mund ta rrezikonte financimin në nivel të të gjithë BE-së. Le Peni kërcënon se do t’i japë veto buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, përfshirë instrumentit të propozuar prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën. Ky është mekanizmi përmes të cilit BE-ja shpreson ta mbajë financiarisht Kievin pas vitit 2028.

Presidenca e Le Peni mund t’u jepte gjithashtu qeverive, më larg vijës së frontit, një mbulesë politike për ta zvogëluar mbështetjen e tyre. Për Italinë, Spanjën, Greqinë, Austrinë, Hungarinë dhe Sllovakinë, Ukraina është prioritet më i ulët dhe mbështetja italiane mund të dobësohet më tej pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Bilateralizimi i ndihmës që do të rezultonte mund të linte një grup më të vogël vendesh të Evropës Veriore dhe Perëndimore duke e mbajtur barrën. Ato do ta kishin të vështirë ta kompensonin humbjen e kontributeve nga një pjesë e madhe e Evropës Jugore dhe Qendrore.

Le Pen do t’i kërcënonte gjithashtu perspektivat e Ukrainës për anëtarësim në BE, si dhe regjimin e sanksioneve të bllokut kundër Rusisë. Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të bëhej praktikisht i pamundur: vendimet kyçe kërkojnë unanimitet dhe Le Peni tashmë e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kievit. As nuk do të ishte e vetme në ngurrimin e saj. Pavarësisht zotimeve të tyre publike, shumë qeveri të BE-së kanë rezerva serioze për pranimin e Ukrainës.

Sanksionet do të ishin po aq të cenueshme. Le Peni ka mbrojtur heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë që nga viti 2017. Sanksionet ekonomike të bllokut duhet të rinovohen në korrik 2027 dhe vetoja franceze mund t’u jepte fund atyre. Ajo gjithashtu mund të bllokonte rinovimin e sanksioneve ndaj individëve dhe t’i jepte veton çdo pakete të re.

Me pak fjalë, presidenca e Le Penit mund t’i minonte njëkohësisht tri shtyllat e mbështetjes së Evropës për Ukrainën: financimin, anëtarësimin në BE dhe sanksionet ndaj Rusisë.

Le ta përfytyrojmë për një çast skenarin më të keq – si rezultat i paaftësisë së Evropës për ta mbështetur Ukrainën pas një fitoreje të Le Penit, Kievi shtyhet drejt një marrëveshjeje sipas kushteve të Moskës. Rusia merr njohje kushtetuese të aneksimit të Donjeskut dhe Luhanskit (dhe ndoshta edhe të Zaporizhias dhe Hersonit). Moska i imponon gjithashtu Kievit kushte politike dhe të sigurisë: ndalimin e anëtarësimit në NATO, një kufi për madhësinë e forcave të tij të armatosura dhe kërkesat politike që Moska i paraqet si “denazifikim”.

Pas një pushtimi të paprovokuar dhe pothuajse pesë vjetëve me sulme të pamëshirshme ruse ndaj civilëve, ukrainasit do ta shihnin marrëveshjen si humbje poshtëruese. Poshtërimi do të ishte edhe më i madh nëse Kievi do ta nënshkruante nën presionin e Uashingtonit, me mbështetjen e disa pjesëve të Evropës dhe kundërshtimin e të tjerave.

Mbi të gjitha, marrëveshja do të ishte një tragjedi humanitare. Dorëzimi i pjesës tjetër të Donbasit do të linte dhjetëra mijëra civilë nën pushtimin rus. Ata do të përballeshin me atë që pushtimi ka nënkuptuar diku tjetër: arrestime masive, zhdukje të detyruara dhe tortura. Të tjerët, që do të arrinin të evakuoheshin, do t’i shtoheshin popullsisë së zhvendosur brenda Ukrainës.

Meqë çdo transferim territori kërkon referendum, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të duhej ta mbante një të tillë dhe me gjasë do ta vinte të gjithë marrëveshjen në votim. Ukrainasit me shumë gjasë do ta refuzonin atë, duke hapur një krizë të paprecedentë politike. Nëse Ukraina nuk do të mund të vazhdonte më të luftonte, Zelenskyy do të përballej me dy mundësi të këqija: ta anashkalonte votën dhe të impononte marrëveshjen thellësisht jopopullore; ose të jepte dorëheqjen dhe të linte një boshllëk që do të duhej ta plotësonte qeveria e ardhshme.

Në të dyja rastet, protestuesit me gjasë do të mbushnin rrugët, kundërshtarët do ta sfidonin marrëveshjen në gjykatë dhe kushdo që do ta nënshkruante do ta humbte postin. Marrëveshja do të duhej gjithashtu të miratohej nga Parlamenti, ku mund të rrëzohej me votë, sepse pak deputetë do të donin që emrat e tyre të lidheshin me të. Nëse, në vend të kësaj, do të imponohej jashtë Kushtetutës, politika do të copëzohej në fraksione, disa duke u zotuar ta anulonin marrëveshjen dhe të tjerët duke këmbëngulur të ecej përpara.

Ekonomia ka të ngjarë ta ndjekë këtë. Donatorët dhe investitorët që kishin planifikuar të financonin rindërtimin do të tërhiqeshin, duke lënë miliarda – në marrëveshje të mundshme – pa u realizuar. Kërcënimi i pushtimit të ri rus dhe paqëndrueshmëria politike do ta ndalnin rindërtimin. Miliona ukrainas të tjerë më pas do të niseshin drejt Perëndimit për t’u ribashkuar me familjet e veta, duke i ikur një marrëveshjeje që nuk arrin të ofrojë garanci të përshtatshme sigurie dhe duke lënë pas shkatërrimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, shumë ushtarë do të refuzonin t’i dorëzonin armët dhe do të vazhdonin luftën guerile në pjesët e Donbasit që do dorëzoheshin. Këto njësi do të ishte e vështirë të viheshin nën kontroll, duke i dhënë ndoshta Moskës një pretekst për të rifilluar luftimet në shkallë të plotë.

Me kalimin e kohës, ndjenja e tradhtisë është e destinuar të ngurtësohet në pakënaqësi – si ndaj partnerëve perëndimorë, ashtu edhe ndaj elitave të kohës së luftës në Kiev. Më e rrezikshmja nga të gjitha është se Rusia me gjasë do ta përdorte ndërprerjen për të rindërtuar ekonominë dhe ushtrinë e saj. Së shpejti, Vladimir Putini mund të tundohet ta shfrytëzojë kaosin e Ukrainës dhe të pushtojë përsëri. Korniza e dobët e sigurisë e një marrëveshjeje, sipas kushteve të Rusisë, do ta bënte këtë të mundur. Evropa do të mbetej me një shtet të thyer, të hidhëruar dhe të armatosur rëndë në kufirin e saj – dhe me një Rusi të trimëruar pas tij.

Asgjë nga kjo nuk është e pashmangshme. Ukrainasit kanë treguar pak prirje për kapitullim dhe javët e presionit amerikan nuk e kanë ndryshuar opinionin publik. Kievi e kupton gjithashtu se kushtet e Moskës me gjasë janë hartuar pikërisht për të prodhuar këtë lloj trazire. Ukraina do ta pranonte një marrëveshje të tillë vetëm nëse nuk do të kishte zgjidhje tjetër.

Arritja deri aty do të kërkonte që disa gjëra të shkonin keq në të njëjtën kohë: ndërprerje e plotë nga ShBA-ja e inteligjencës dhe mbështetjes ushtarake, që do t’i lejonte Rusisë ta shtynte vijën e frontit prapa; tharjen e financimit evropian pa ndonjë zëvendësim dypalësh; dhe, një përshkallëzim rus të mbështetur nga një mobilizim i ri. Secila prej tyre është e mundshme; së bashku ato janë të pamundshme. Megjithatë, ky skenar duhet t’u japë kryeqyteteve të BE-së një arsye serioze për t’u menduar. Politika duhet të ndërtohet mbi skenarin më të keq dhe jo mbi mendimin e dëshiruar se Le Peni, pasi të vijë në pushtet, do ta zbusë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, ashtu siç ka bërë Meloni.

Perspektiva e Ukrainës është më e zymtë se në çdo moment tjetër që nga pushtimi rus në shkallë të plotë në vitin 2022. Strategjia e Putinit ka qenë gjithmonë ta tejkalojë Perëndimin në qëndrueshmëri dhe të arrijë politikisht atë që nuk mund ta sigurojë në fushën e betejës. Kjo mundësi po bëhet më e besueshme – jo sepse Ukraina po e humbet vullnetin për të luftuar, apo edhe për shkak të tërheqjes së Uashingtonit, por për shkak të asaj që mund të ndodhë në Evropë vitin e ardhshëm, duke e bërë atë hallkën më të dobët në vetë strategjinë e saj për ta mposhtur Rusinë. /Telegrafi/