Vitia për mungesën e barnave në Onkologji: Kërkesat u dyfishuan, nuk pati ofertues në tender

Vitia për mungesën e barnave në Onkologji: Kërkesat u dyfishuan, nuk pati ofertues në tender

Written by

in

Vitia për mungesën e barnave në Onkologji: Kërkesat u dyfishuan, nuk pati ofertues në tender

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se mungesa e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026 është shkaktuar nga dyfishimi i kërkesave për këtë medikament, ndërsa tenderi i parë për furnizim kishte dështuar për shkak të mungesës së ofertuesve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Sala Jashari, në interpelancën lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, dhe mungesën e barnave onkologjike, Vitia tha se palbociclib është futur për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025.

Ai bëri të ditur se kontrata e parë për këtë medikament ishte lidhur më 17 korrik, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit 2025. Sipas tij, kërkesa ishte më e lartë se planifikimi fillestar, pasi numri i pacientëve që kërkonin këtë bar ishte dyfishuar.

“Në pyetjen e parë, medikamenti palbociclib është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale në vitin për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në klinikën e onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë. Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar nga Ministria e Financave. Pas procedurave të nevojshme, kontrata është lidhur me datën 17 korrik dhe, në mes të muajit gusht, ka ardhur për herë të parë ky medikament në barnatoren qendrore në Çekukë. Gjatë kësaj kohe është parë se ka kërkesa më të larta për këtë medikament, pasi që një pjesë e pacientëve të cilët e kanë siguruar më herët privatisht, duke mos qenë në listën e barnave esenciale, kur është futur ky bar në listën e barnave esenciale, kanë filluar normalisht ta kërkojnë këtë medikament në klinikën e onkologjisë”, ka thënë ai, shkruan eo.

“Po ashtu, gjatë vitit 2025, për shkak të mungesës së institucioneve dhe Kuvendit, nuk ka pasur as ndëgjime buxhetore dhe as nuk është miratuar buxheti. Kjo situatë ka vazhduar deri në muajin mars, ku, përkundër kërkesës për rritje të buxhetit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, është kaluar buxheti me synim që në muajin maj-qershor të bëhet rishikimi. Por deputet i nderuar, ky rishikim nuk ndodhi, pasi në muajin prill u shpërnda Kuvendi dhe u futëm në proces zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit. Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130% sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit dhe transferit të mjeteve, menjëherë kanë filluar procedurat e reja tenderike, marrë parasysh shpenzimin e shpejtë të këtij medikamenti. Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues. Menjëherë pas dështimit të ofertës së parë, është hapur tenderi përsëri me procedura tash të përshpejtuara dhe, me datën 30 korrik 2026, është lidhur kontrata dhe, me datën 18 gusht të këtij viti, ka filluar liferimi në barnatoren qendrore”, ka shtuar Vitia.

Vitia tha se gjatë vitit 2026 furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025. Ai përmendi edhe mungesën e autorizimeve të marketingut për disa barna, vonesat në furnizim dhe dështimin e procedurave tenderike.

“Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e klinikës së onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025, për shkak të arsyeve që i përmenda për barin palbociclib. Shkaqet e tjera të evidentuara në këtë mungesë janë disa barna nuk kanë pasur autorizim marketingu. Shkak tjetër, vonesat në furnizim si pasojë e procedurave, dështimet për shkak të mungesës së ofertuesve dhe, në disa raste, tejkalim i shumës së parashikuar bazuar në listën zyrtare për çmimin e barnave”, tha ai.

Burimi: Insajderi