SINJALI 24 | Arrestime, dhunë në familje dhe raste të rënda në disa qytete të Kosovës

SINJALI 24 | Arrestime, dhunë në familje dhe raste të rënda në disa qytete të Kosovës

Written by

in

SINJALI 24 | Arrestime, dhunë në familje dhe raste të rënda në disa qytete të Kosovës

Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me ngjarje të shumta, ku nuk kanë munguar rastet e dhunës në familje, përleshjet mes të miturve, plagosjet, kërcënimet dhe arrestimet. Policia ka intervenuar në disa qytete, ndërsa Prokuroria ka marrë vendime për ndalimin e disa të dyshuarve.

Rast i rëndë në Gjakovë, 16-vjeçarja denoncon dhunimin në motel – i dyshuari 21-vjeçar jashtë Kosovës

Një 16-vjeçare nga Gjakova ka denoncuar se ishte dhunuar seksualisht nga një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e kishte dërguar në një motel gjatë rrugës për në Prizren.

Rasti është raportuar nga babai i vajzës më 12 nëntor, ndërsa e mitura ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur rreth gjashtë apo shtatë muaj më parë. I dyshuari aktualisht ndodhet jashtë Kosovës dhe nuk është siguruar prania e tij për intervistim.

Prokuroria ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Përleshje mes nxënësve pranë xhamisë në Kamenicë, pesë të mitur shoqërohen në Polici

Pesë nxënës të së njëjtës shkollë janë përfshirë në një përleshje fizike në fshatin Rogoqicë të Kamenicës, pranë xhamisë së fshatit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor, rreth orës 10:30. Të miturit kanë shkëmbyer grushte, ndërsa dy prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Të gjithë janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatëve. Prokuroria për të Mitur ka iniciuar rastin për “Lëndim të lehtë trupor”.

Rrahja me mjete të mprehta në Gjilan, arrestohen edhe dy të mitur – katër të ndaluar gjithsej

Edhe dy të mitur janë arrestuar lidhur me përleshjen mes dy grupeve në Gjilan, ku dy persona mbetën të plagosur me mjete të mprehta.

Ngjarja kishte ndodhur më 11 nëntor në rrugën “Zija Shemsiu”. Njëri nga të plagosurit ishte transferuar në QKUK në gjendje të rëndë, por stabile.

Me arrestimet e fundit, numri i të ndaluarve ka shkuar në katër. Rasti po hetohet për “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Gjendet 14-vjeçarja e zhdukur në Suharekë, ishte larguar për kafe me një 24-vjeçar

Një 14-vjeçare nga Suhareka, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi kishte dalë për kafe me një 24-vjeçar, është lokalizuar nga Policia.

Nëna e saj kishte raportuar zhdukjen më 11 nëntor, pasi vajza ishte larguar nga shtëpia një mbrëmje më parë dhe nuk ishte kthyer.

Policia ka arritur ta gjejë të miturën më 12 nëntor, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e largimit.

Publikoi video me armë në Facebook, Policia ia bastis shtëpinë 26-vjeçarit në Mitrovicë

Një video e publikuar në Facebook, ku shihej një objekt që dyshohej të ishte armë zjarri, ka vënë në lëvizje Policinë në Mitrovicë.

Pas publikimit të videos, hetuesit kanë bastisur shtëpinë e 26-vjeçarit Ensar Gashi, në rrugën “Sami Gashi”, por nuk kanë gjetur armë apo sende të dyshimta.

I riu është intervistuar, por ka shfrytëzuar të drejtën për të heshtur. Me udhëzim të Prokurorisë, rasti është iniciuar për posedim të paautorizuar të armëve.

Policët me rroba civile ndalojnë Audin në Prishtinë, 27-vjeçarit i gjendet marihuanë

Një 27-vjeçar është ndaluar në rrugën “Lugmiri”, në zonën e Zllatarit në Prishtinë, pasi Policia i ka gjetur substancë të dyshuar narkotike në veturën Audi.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 3.64 gramë marihuanë. I riu është intervistuar, ndërsa Prokuroria ka udhëzuar inicimin e rastit për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Kërcënoi familjarët në WhatsApp dhe shkoi te shtëpia e nënës, 30-vjeçari ndalohet për 48 orë

Një 30-vjeçar në Prishtinë dyshohet se ka kërcënuar familjarët në grupin e përbashkët në WhatsApp, e më pas ka shkuar te shtëpia e nënës së tij dhe i ka kërcënuar edhe aty.

Nëna 64-vjeçare ka deklaruar se djali i saj kishte shkruar mesazhe kërcënuese dhe më pas kishte goditur derën e shtëpisë, duke thënë: “Ka me ju vra”.

Me vendim të Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

Kapet në Merdar 25-vjeçari i dyshuar për zjarrin në mobilerinë “Lina Home” në Prizren

Gjashtë muaj pas zjarrit në mobilerinë “Lina Home” në Prizren, Policia ka ndaluar në Merdar 25-vjeçarin Gentian Abdullahu, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë rast.

Zjarri ishte raportuar më 17 maj 2026, në lokalin që ndodhet në rrugën Prishtinë–Prizren.

Pas arrestimit, 25-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.

Babai nën ndikimin e alkoolit fyen vajzën në Kamenicë, përfundon në pranga

Një 45-vjeçar nga fshati Grizimë i Kamenicës është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së tij 18-vjeçare.

Sipas raportimit, ai e kishte fyer vajzën gjatë një konflikti verbal, ndërsa dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit.

Me vendim të Prokurorisë është ndaluar për 48 orë, ndërsa vajza është dërguar në strehimore.

46-vjeçari me 1.13 promilë alkool denoncohet për dhunë ndaj gruas në Gjakovë

Një 37-vjeçare nga fshati Damjan i Gjakovës ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë psikologjike.

Policia ka arrestuar 46-vjeçarin, i cili gjatë testimit ka rezultuar me 1.13 promilë alkool në organizëm.

Gruaja ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe strehimin, duke u kthyer me dëshirën e saj te prindërit në Rahovec. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Nxirret arma gjatë rrahjes në Vushtrri, dy persona në pranga dhe dy në kërkim

Një përleshje mes katër personave në rrugën “Ismail Qemali” në Vushtrri ka përfunduar me dy të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim.

Gjatë incidentit dyshohet se është nxjerrë një armë e shkurtër zjarri, ndërsa është thyer edhe xhami i lokalit. Njëri nga të përfshirët ka pësuar thyerje të gishtit.

Dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Policia po kërkon dy personat e tjerë.

Gjykata i ndalon afrimin 18-vjeçarit ndaj 15-vjeçares me të cilën dyshohet se bashkëjetonte

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e ndalimit të afrimit ndaj një 18-vjeçari që po hetohet për bashkëjetesë me një 15-vjeçare.

Vajza kishte deklaruar se bashkëjetonte prej muajsh me të dashurin, me dëshirën e saj dhe pajtimin e prindërve të të dy palëve.

Pas raportimit të familjes se ishte larguar sërish nga shtëpia, Policia i kishte gjetur të dy në një banesë në Lipjan. Rasti po hetohet për bashkëjetesë me person nën moshën 16-vjeçare.

15-vjeçarja shtatzënë shkon për kontroll në Spitalin e Ferizajt, Policia nis hetimet ndaj 21-vjeçarit

Policia ka nisur hetimet pasi një 15-vjeçare është paraqitur në Spitalin e Ferizajt për kontroll të shtatzënisë, duke ngritur dyshime për bashkëjetesë me një 21-vjeçar.

I dyshuari Petrit Miftari është intervistuar më 12 nëntor në prani të avokatit mbrojtës.

Me vendim të Prokurorisë për të Mitur, rasti është iniciuar për “Bashkëjetesa me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”, ndërsa 21-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.

U intervistua si dëshmitar, përfundon i dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit në Rahovec

Një 21-vjeçar është arrestuar lidhur me plagosjen me armë zjarri të një 16-vjeçari në Rahovec.

Usame Zllanoga dyshohet se më 29 tetor kishte shtënë në drejtim të të miturit në rrugën “Vëllezërit Shabandula”, duke e plagosur në kraharor.

Fillimisht ai ishte intervistuar si dëshmitar, por pas hetimeve është identifikuar si i dyshuar dhe është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje në tentativë”.

73-vjeçarja denoncon djalin për dhunë fizike dhe psikologjike në Gjakovë, 48-vjeçari arrestohet

Një 73-vjeçare nga Gjakova ka denoncuar djalin e saj 48-vjeçar për dhunë fizike dhe psikologjike.

Pas denoncimit në rrugën “Gazmend Imeri”, Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka intervistuar.

Gruaja ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe strehimin, duke u kthyer në shtëpi me dëshirën e saj. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Denoncohet për dhunë ndaj të dashurës në Prishtinë, 37-vjeçari gjendet në kafeteri me armë e municion

Një 37-vjeçar i denoncuar për sulm fizik ndaj bashkëjetueses është arrestuar në një kafeteri në Prishtinë.

Policia e ka lokalizuar në kafeterinë “Onyx”, në rrugën “Xhemajl Mustafa”, ku gjatë kontrollit ka gjetur një pistoletë dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.65 mm.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për dhunë në familje dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Shkon në Polici për ta raportuar zhdukjen e gruas, përfundon vetë në pranga pas denoncimit të saj për dhunë

Një 34-vjeçar nga Fushë Kosova është paraqitur në Polici për të raportuar largimin e bashkëshortes nga shtëpia, por ajo më pas e ka denoncuar për dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike.

Gruaja është kontaktuar nga hetuesit në Prizren, ku ka deklaruar se ishte larguar për shkak të kërcënimeve të bashkëshortit.

Me vendim të Prokurorisë, 34-vjeçari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për dhunë në familje.

Dyshohet se kërcënoi Ramiz Lladrovcin në sallën e gjyqit, 48-vjeçari kapet në Aeroport

Një 48-vjeçar i dyshuar për kanosje ndaj kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, është ndaluar në Aeroportin e Prishtinës.

Blerim Sinani dyshohet se e kishte kërcënuar Lladrovcin gjatë një seance gjyqësore në Drenas, më 7 shtator.

Pas intervistimit në prani të avokatit, ai është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të Prokurorisë.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali