
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar nga ministri Arben Vitia shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi.
Kjo kërkesë erdhi gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet mungesa e barnave për trajtimin e kancerit.
“Drejtorin e ShSKUK-së, si të dilni prej këtu, të inicioni dhe ta largoni prej aty. Në të kundërtën, heshtja, mbrojtja, neglizhimi, po ju bën përgjegjës edhe juve”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka thënë se gjendja në ShSKUK është katastrofale, duke pretenduar se përgjegjësit po mbrohen nga politika.
“Kuptojeni drejtë, situata në sektorin e shëndetësisë, ku ministrat dalin dhe lavdërohen pa marrë përgjegjësi, nuk është e tillë që, nën hundën e Parlamentit dhe Qeverisë, dikush të ketë pushtetin të abuzojë me kontrata dhe të jetë i mbrojtur politikisht. ShSKUK-ja është në gjendje katastrofale. Po ju lus, të gjithë deputetët, të mos reagojmë vetëm në momentet kur vdes një grua dhe pastaj të çohemi e të flasim. Duhet të gjejmë edhe momente si ky, për t’i larguar nga qeveria njerëzit që abuzojnë me paratë publike”, ka deklaruar ai.
Burimi: Insajderi