
Gazetari nga Shqipëria, Gjergj Prenga, ka paralajmëruar një mbrëmje plot surpriza në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova.
Në emisionin “Kosova Today”, Prenga bëri të ditur se në “Super Prime” e sontëm pritet të ketë dy hyrje të reja në shtëpinë më të madhe në vend.
Sipas tij, njëri nga personat që pritet t’i bashkohet banorëve është gazetari Elton Tozaj, i cili prej disa ditësh nuk ka qenë i kontaktueshëm nga askush.
“Njëra nga hyrjet, siç është zbuluar nga Ilir Vrenozi, do të jetë Elton Tozaj. Ka pasur mendime se e kanë rrëmbyer, por dje është konfirmuar nga Ilir Vrenozi se ai do të hyjë në shtëpinë më të madhe në Kosovë”, deklaroi Prenga.
Gazetari shtoi se, nëse kjo hyrje konfirmohet, mënyra e menaxhimit të situatës do të ishte e gabuar, pasi familjarët dhe miqtë e Tozajt janë shqetësuar për të, duke menduar se mund të ishte rrëmbyer.
Ndërkaq, hyrja e dytë, sipas Prengës, do të jetë një modele, identitetin e së cilës nuk deshi ta zbulonte, duke preferuar që ajo të mbetet surprizë për publikun.