
Lutfi Dalipi ka nisur zyrtarisht afrimin me Kombëtaren e Kosovës, pasi ka vizituar për herë të parë kampin e Dardanëve, ku është pritur nga stafi teknik dhe futbollistët e përfaqësueses. Në këtë takim, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka dhuruar talentit 20-vjeçar fanellën dardane, në shenjë mirëseardhjeje në familjen e Kombëtares.
Futbollisti, i cili ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ishte mysafir i veçantë në stërvitjen zyrtare të Dardanëve para përballjes me Izraelin.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Dalipi pati mundësinë të takohej nga afër me bashkëlojtarët e ardhshëm dhe stafin teknik, duke hedhur kështu hapin e parë drejt angazhimit të tij me përfaqësuesen.
Momenti më simbolik i kësaj vizite ishte dhurimi i fanellës së Kosovës nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e mirëpriti talentin në mesin e Dardanëve.
“Mirë se vjen në familjen dardane, Lutfi!”, thuhet në urimin e Federatës.
Vendimi i Dalipit për të përfaqësuar Kosovën shihet si një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit dardan, ndërsa pritshmëritë për talentin e ri janë të mëdha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali