
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka paralajmëruar kundër “rënies në kurthet që po përgatit Rusia”, duke thënë se Moska po përpiqet të hapë debat për sigurinë evropiane me qëllim që të zhvendosë vëmendjen nga agresioni i saj.
“Ne kemi një agresor dhe një viktimë, ndërsa agresori nuk ka shqetësime për sigurinë. Askush nuk i ka sulmuar ndonjëherë ata. Ata kanë sulmuar të tjerët. Dua të them, njerëz, mos e humbni fokusin”, deklaroi Kaja Kallas, me të arritur në një samit të liderëve të BE-së në Dublin.
Gjatë diskutimeve për luftën në Ukrainë, Rusia ka rikthyer kërkesat e saj të ashpra për një riorganizim të plotë të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Këto kërkesa ishin refuzuar në vitin 2021, pasi konsideroheshin cenim i sovranitetit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Raundi i fundit i bisedimeve mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara u zhvillua këtë javë në Abu Dhabi. I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, deklaroi të enjten në mbrëmje se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord që në raundin e ardhshëm të negociatave për paqe të përfshiheshin edhe përfaqësuesit evropianë. Megjithatë, Rusia e kundërshtoi shpejt këtë deklaratë.
Liderët evropianë kanë përsëritur vazhdimisht se do ta mbështesin Ukrainën në çdo proces negociatash për paqe, por kërkojnë që paraprakisht të arrihet një armëpushim. Ata gjithashtu theksojnë se kontinenti ka një rrjet të gjerë marrëveshjesh të sigurisë, të cilat Rusia i ka shkelur.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se Rusia po kërkon të diskutojë për çështjet që lidhen me arkitekturën evropiane të sigurisë, por sipas tij, një gjë e tillë nuk është e nevojshme.
“Rusia dëshiron të flasë për çështjet e arkitekturës evropiane të sigurisë. Ne nuk kemi nevojë ta diskutojmë këtë, sepse ajo tashmë ekziston”, tha Merz. Ai shtoi se ishte e vetëkuptueshme që Gjermania do të ishte pjesë e çdo delegacioni evropian.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se përfshirja e Evropës në negociatat për paqe ishte e vetëkuptueshme, në mënyrë që të mbrohen interesat e saj dhe të mbështetet Ukraina.
Kremlini deklaroi të premten se fillimisht duhet të kuptojë “qëllimet e vërteta të Evropës dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në procesin e paqes”, përpara se të vendosë nëse do të zhvillohen bisedime në një format më të zgjeruar.
Ndërkohë, negociatori kryesor i Rusisë në bisedimet e Abu Dhabit, Vladimir Medinsky, tha se nuk ishte e qartë se çfarë do të kishte për të diskutuar me Evropën.
Thirrja e Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e Evropës në negociata ka rikthyer në vëmendje çështjen se kush do ta përfaqësojë atë në këtë proces.
Pavarësisht më shumë se dy vjetësh negociatash të ndërprera herë pas here, Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur se kë do të zgjedhë si përfaqësues. Megjithatë, po rritet bindja se Evropa nuk duhet të përfaqësohet nga vetëm një person, por nga disa përfaqësues që do të përcillnin qëndrimet e vendeve të ndryshme të kontinentit.
Parisi dhe Berlini mbështesin vazhdimin e rolit të të dërguarve të tyre në formatin E3, ku bëjnë pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, krahas përfaqësuesve të BE-së.
Në anën tjetër, shtetet më të vogla anëtare të BE-së po kërkojnë që përfaqësimi të mbështetet më shumë te institucionet e Bashkimit Evropian, përkatësisht te presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Kallas, e cila ushtron funksionin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha se debati për atë se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në negociata po merr më shumë vëmendje sesa duhet, duke theksuar se vendet evropiane kanë interesa të ndryshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali