Reperët turq Lvbel C5 dhe Alizade mund të dënohen deri në pesë vjet burg për tekstet dhe skenat nga videoklipin e këngës “Kahpe”. Padia kundër tyre, si dhe kompozitorit Can Akdogan, u pranua në gjykatë dhe prokuroria i akuzon ata për nxitje publike për të kryer një vepër penale.
Hetimi nisi pas disa raportimeve dhe ankesave nga qytetarët përmes Qendrës së Komunikimit të Presidencës Turke (CİMER). Hetuesit u përqendruan në tekstin e këngës “Kahpe” dhe skenat nga videoja në të cilën katër persona rrahin një burrë të shtrirë në dysheme.
Në aktakuzë thuhet se disa tekste këngësh mund të nxisin dhunën dhe të inkurajojnë kryerjen e veprave penale. Prokuroria theksoi gjithashtu se kënga është e disponueshme në platformat dixhitale dhe mund të dëgjohet nga të rinjtë, prandaj përmbajtja e saj mund të paraqesë një kërcënim për sigurinë publike.
– YouTube youtu.be
Reperi Lvbel C5, emri i vërtetë i të cilit është Suleyman Burak Bodur, i mohoi akuzat gjatë seancës dëgjimore. Ai pretendoi se teksti i këngës në fjalë ishte rezultat i imagjinatës dhe trillimit dhe se nuk kishte qëllim të nxiste dhunë. Ai deklaroi gjithashtu se videoklipi është xhiruar jashtë vendit, nën drejtimin e një regjisori të huaj.
Kompozitori Can Akdogan gjithashtu mohoi përgjegjësinë, duke pretenduar se nuk e dinte kuptimin e tekstit të diskutueshëm dhe nuk kishte të bënte fare me skenat e dhunshme në video.
Nga ana tjetër, Alizade, emri i vërtetë i së cilës është Asya Alizade, nuk u mor në pyetje sepse ndodhet jashtë Turqisë dhe, sipas aktakuzës, i është ndaluar hyrja në vend për pesë vjet. Mbrojtja e saj paraqiti një deklaratë me shkrim përmes avokatit të saj.
Kjo nuk është hera e parë që Lvbel C5 përballet me pasoja ligjore për muzikën e tij. Gjatë një faze të mëparshme të hetimit, u kërkua paraburgimi i tij, por gjykata e hodhi poshtë kërkesën. Në vend të kësaj, atij iu ndalua të largohej nga vendi dhe të paraqitej rregullisht në polici, si dhe iu urdhërua të ndiqte mësimet e letërsisë turke dhe të lexonte libra rregullisht.
Pranimi i aktakuzës hap rrugën për një gjyq dhe tre të dyshuarit përballen me deri në pesë vjet burg. Gjykata do të vendosë për fajësinë e tyre përfundimtare pas procedurave. /Telegrafi/