Dy përfaqësuese nga Afrika nuk do të mund të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të konkursit të bukurisë “Miss Universe”, që po mbahet në Porto Riko, për shkak të pamundësisë për të siguruar vizat amerikane.
Konkurrentet nga Zambia dhe Republika e Kongos janë detyruar të tërhiqen nga gara, pasi nuk kanë arritur të marrin dokumentet e nevojshme të udhëtimit. Ndërkohë, përfaqësueset e Sudanit të Jugut dhe Zimbabvesë vazhdojnë të presin një përgjigje për vizat e tyre.
Situata lidhet me kufizimet e udhëtimit të vendosura nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të cilat prekin dhjetëra shtete, përfshirë një numër të konsiderueshëm vendesh afrikane.
Në dhjetor të vitit të kaluar, këto kufizime u zgjeruan edhe për shtetasit e Zambias dhe Zimbabvesë, ndërsa ndalimi i plotë i hyrjes në SHBA mbeti në fuqi për qytetarët e Republikës së Kongos dhe Sudanit të Jugut.
Organizatorët e “Miss Universe Zambia” njoftuan këtë javë tërheqjen e përfaqësueses së tyre, Mubanga Pamela Hatyoka, duke shprehur keqardhje për pamundësinë e saj për të marrë pjesë në konkurs.
Kufizimet e vizave amerikane lënë jashtë “Miss Universe” dy konkurrente nga Afrika (Foto: AP)
“Ajo e fitoi kurorën e saj, e fitoi titullin e saj dhe meriton mundësinë për të përfaqësuar kombin të cilit i shërben me krenari”, thuhet në reagimin e organizatorëve.
Ndërkaq, në Republikën e Kongos, Georgina Kambongo kishte hyrë në histori si gruaja e parë nga ky vend i Afrikës Qendrore që fitoi titullin “Miss Universe” në nivel kombëtar. Organizatorët kanë bërë të ditur se pamundësia e saj për të udhëtuar drejt Porto Rikos lidhet drejtpërdrejt me kufizimet e udhëtimit të vendosura nga administrata Trump.
Edhe përfaqësuesja e Zimbabvesë, Roseanna Hall, ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale se problemet me vizën amerikane kanë vonuar udhëtimin e saj, por ka theksuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pjesëmarrja.
Në anën tjetër, pjesëmarrja e Adut Deng, përfaqësueses së Sudanit të Jugut, mbetet ende e pasigurt, pavarësisht përpjekjeve disamujore të organizatorëve për të siguruar dokumentet e udhëtimit dhe miratimet përkatëse.
Edicioni i 75-të i “Miss Universe” pritet të mbledhë deri në 120 konkurrente nga vende të ndryshme të botës. Delegacionet kanë nisur të mbërrijnë në Porto Riko të dielën, ku do të marrin pjesë në prova dhe aktivitete të ndryshme paraprake.
Gara për kostumet kombëtare është planifikuar të mbahet më 21 nëntor, ndërsa fituesja e këtij edicioni pritet të kurorëzohet më 24 nëntor. /Telegrafi/