
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i drejtohet Komisionit Evropian për të marrë një vlerësim lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Këtë kërkesë Kurti e ka ngritur gjatë takimit me përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e Irlandës, ku është diskutuar rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit evropian.
Në njoftimin e tij, Kurti ka theksuar se nisja e shqyrtimit të aplikimit është thelbësore që procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim të mos zvarritet më tej.
“Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm se arritja në cak, sepse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet. Nga strehimi i refugjatëve e pjesëmarrja në kuadër të KFOR-it, jemi mirënjohës për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Irlandës për qytetarët dhe Republikën tonë.”, shkroi ai.
Sipas njoftimit, në takimin e mbajtur në Houses of the Oireachtas, përkatësisht në Parlamentin e Irlandës, morën pjesë kryesuesi i Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore, Frank Smyth.
Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke veçuar strehimin e refugjatëve dhe kontributin e këtij shteti në kuadër të KFOR-it.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali