
Një bastisje e zhvilluar nga njësia e Antidrogës në Prishtinë ka zbuluar edhe gjurmë të dyshuara të përdorimit të armës së zjarrit. Gjatë kontrollit të një shtëpie, Policia ka gjetur tri gëzhoja në oborr, duke bërë që të nisin hetimet për një rast të veçantë të përdorimit të armës, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 12 nëntor, rreth orës 11:00, në rrugën “Rexhep Tërpeza” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njësia e Antidrogës kishte kërkuar asistencë policore gjatë realizimit të një bastisjeje në këtë lokacion.
Gjatë kontrollit, në oborrin e shtëpisë janë gjetur tri gëzhoja të armës së zjarrit, të cilat kanë ngritur dyshime për përdorim të armës.
Në kuadër të veprimeve fillestare është intervistuar një dëshmitare, ndërsa rasti fillimisht është dokumentuar përmes një shënimi zyrtar, pasi nuk ishte siguruar prania e një përkthyesi të gjuhës turke.
Një ditë më vonë, më 13 nëntor, hetuesit kanë intervistuar edhe një shtetas turk në prani të përkthyesit.
Pas intervistimeve është njoftuar Prokuroria e Shtetit, ndërsa rasti i është lënë njësisë së hetimeve për procedim të mëtejshëm.
Rasti po trajtohet në drejtim të veprës penale “Përdorimi i armës”.
Deri në këtë fazë nuk është identifikuar personi që dyshohet se ka shtënë me armë, ndërsa nga informacionet e siguruara nuk është përcaktuar se kur janë shkrepur plumbat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali