Ndërrimi i sigurimit shëndetësor në Zvicër pritet të bëhet tërësisht online

Ndërrimi i sigurimit shëndetësor në Zvicër pritet të bëhet tërësisht online

Written by

in

Ndërrimi i kompanisë së sigurimit shëndetësor në Zvicër pritet të bëhet shumë më i lehtë në të ardhmen, pasi personat e siguruar mund ta kryejnë të gjithë procesin përmes internetit, pa pasur nevojë për dokumente dhe nënshkrime fizike.

Këshilli Federal ka rekomanduar miratimin e një propozimi që parasheh detyrimin e të gjitha kompanive të sigurimit shëndetësor për të ofruar mundësinë e ndërrimit të siguruesit tërësisht online.

Nisma është paraqitur nga këshilltari kombëtar i Partisë së Gjelbër Liberale (GLP), Patrick Hässig, i cili vlerëson se procedurat aktuale burokratike i dekurajojnë qytetarët të ndërrojnë kompaninë e sigurimit, raporton 20 minuten.

Sipas të dhënave të shërbimit të krahasimit Comparis, shkalla e ndërrimit të siguruesve për vitin 2026 vlerësohet të jetë vetëm rreth tetë për qind.

“Kjo shkallë e ulët e ndërrimit vjen me një çmim të lartë”, ka deklaruar Hässig, duke theksuar se shumë persona vazhdojnë të paguajnë prime më të larta, ndonëse mund të përfitojnë shërbime pothuajse identike nga sigurues të tjerë.

Ai konsideron se procedurat administrative, përfshirë dokumentet në letër dhe nënshkrimet, përbëjnë një pengesë të panevojshme për qytetarët.

“Nuk mund të jetë e mundur që ne të transferojmë para brenda sekondash me telefonat tanë inteligjentë, por prapëseprapë të na duhet letër dhe një firmë për të ndërruar ofruesin e sigurimit shëndetësor”, ka thënë ai.

Sipas Hässig, lehtësimi i këtij procesi do të rriste konkurrencën ndërmjet kompanive dhe do të ushtronte më shumë presion mbi to për të ofruar prime më të përballueshme dhe shërbime cilësore, transmeton Telegrafi.

Kërkesa vjen në një kohë kur primet e sigurimit shëndetësor në Zvicër pritet të rriten mesatarisht me pesë për qind në vitin 2027. Personat e siguruar kanë afat deri në fund të nëntorit për të vendosur nëse dëshirojnë të ndërrojnë siguruesin për vitin e ardhshëm.

Këshilli Federal e mbështet propozimin, ndërsa shoqata e kompanive të sigurimit shëndetësor, prio.swiss, ende nuk ka përcaktuar qëndrimin e saj përfundimtar.

Një zëdhënës i saj ka bërë të ditur se pozicioni lidhur me këtë çështje është ende në përgatitje.

Propozimi pritet të shqyrtohet nga parlamenti zviceran, ku, sipas raportimit, ka gjasa të marrë mbështetje të gjerë. Krahas GLP-së, nisma mbështetet edhe nga përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (SP), të Gjelbërve, Partisë së Qendrës dhe Partisë Liberale Radikale (FDP)./Telegrafi/