Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë, ku gjatë kontrollit të një automjeti janë zbuluar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8.274 kilogramë argjend i padeklaruar, me vlerë të përafërt nga 8 mijë deri në 10 mijë euro.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar të shtunën, gjatë kontrollit të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit përmes Kosovës, nga Belgjika drejt një vendi fqinj.
Pas dyshimeve fillestare, automjeti është përzgjedhur për kontroll me pajisje skanimi, ku janë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesë.
“Gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e argjendit të padeklaruar, e fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur. Malli ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Sasia e zbuluar përbëhej nga gjashtë monedha investuese argjendi, me peshë nga një kilogram secila, një lingotë argjendi prej një kilogrami dhe dy tuba plastikë me nga 20 monedha argjendi secili, me peshë nga 31.1 gramë për monedhë.
Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, me pastërti 99.9 për qind.
Dogana ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë për mbështetjen në forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe operative.
“Në veçanti, pajisja me teknologji moderne të skanimit, e mundësuar përmes këtij bashkëpunimi, ka kontribuar drejtpërdrejt në identifikimin e këtij rasti, si dhe në zbulimin e rasteve të tjera të parregullsive dhe tentativave për kontrabandë”, thuhet më tej në njoftim.
Malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe për zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana ka ftuar qytetarët që çdo dyshim apo parregullsi ta raportojnë në numrin pa pagesë 0800 500 95.
Burimi: RTKLive
